Kuvendi, seancë maratonë për shqyrtimin nen për nen të projektbuxhetit 2026

TIRANË, 12 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Kuvendi vijoi deri pas orës 01:30 një seancë maratonë diskutimin nen për nen të projektbuxhetit të shtetit për vitin 2026.
Debati mes mazhorancës dhe opozitës për projektbuxhetin 2026 po vijon përtej mesnatës, ndërsa deputetët po paraqesin amendamentet përkatëse.
Projektbuxheti për vitin 2026 është rreth 887 miliardë lekë, nga të cilat shpenzimet operative zënë vetëm 81 milionë lekë, prej të cilave 56,7 milionë lekë janë kategori të pacenueshme.
Për mazhorancën ky projektbuxhet vjen në një moment kur Shqipëria ndodhet në rrugën e integrimit europian dhe ka një qasje ambicioze, pasi vendos në qendër qytetarin, parashikon rritje të pensioneve dhe pagës minimale, si dhe mbështetje për zhvillimin e infrastrukturës.
Ndërsa opozita propozoi një sërë amendamentesh, të cilat sipas mazhorancës, “kërkonin rritje të konsiderueshme të shpenzimeve, duke rrezikuar objektivat e konsolidimit fiskal”. Për këtë arsye këto amendamente nuk u morën parasysh.
Fillimisht deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho prezantoi amendamentet për shtimin me 1.2 miliardë lekë të buxhetit të arsimit universitar dhe 2 miliardë lekë për arsimin bazë. “Ta bëjmë buxhetin e arsimit 5% të PBB-së”, tha Xhixho, duke prezantuar amendamentet e saj.
Në total PL paraqiti 12 amendamente mbi projektbuxhetin 2026, të cilat u rrëzuan.
Projektbuxheti për vitin 2026 mbështetet te rritja e të ardhurave buxhetore dhe një plan investimesh të orientuar drejt infrastrukturës, energjisë, arsimit dhe bujqësisë, ndërsa një vend të rëndësishëm i kushtohet politikave sociale.
Përveç indeksimit vjetor të pensioneve, parashikohet një fond shtesë për mbështetje të përkohshme për pensionistët me të ardhura të ulëta, me synim ruajtjen e fuqisë blerëse në kushtet e rritjes së çmimeve.
Në kuadër të reformës së pensioneve, qeveria synon të rrisë ndjeshëm nivelet aktuale. Sipas parashikimeve, pensioni urban me vite të plota pune pritet të arrijë deri në vitin 2030 në 40 mijë lekë nga 27 350 lekë që është sot; pensioni urban i pjesshëm në rreth 22 mijë lekë nga 15 850 lekë aktualisht; ndërsa pensioni rural në 18 mijë lekë nga 11 500 lekë.
Gjithashtu, pensioni familjar do të shkojë në 18 mijë lekë nga 11 400 lekë që është sot, ndërsa pensioni i invaliditetit parashikohet të arrijë 30 mijë lekë nga 20 mijë lekë. Efekti financiar i kësaj mase për vitin 2026 llogaritet në rreth 10,4 miliardë lekë dhe do të mbulohet tërësisht nga buxheti i shtetit. Për periudhën 2026-2030, efekti kumulativ i reformës së pensioneve vlerësohet në rreth 1,7 miliardë euro.
Projektbuxheti 2026 parashikon gjithashtu rritje të pagave në sektorë të ndryshëm të administratës publike. Paga minimale do të rritet me 10 000 lekë duke arritur në 50 000 lekë nga 1 janari 2026, një masë nga e cila pritet të përfitojnë rreth 308 mijë të punësuar në sektorin publik dhe privat. Rritje do të ketë edhe për punonjësit mbështetës, mësuesit, mjekët, infermierët, punonjësit e rendit dhe ushtarakët.
/r.e/