Kuvendi zhvilloi seancën plenare të “Javës së Gjelbër”, u diskutuan problematikat e qytetarëve

TIRANË, 1 qershor /ATSH/ Kuvendi u mblodh sot në seancën plenare të “Javës së Gjelbër”, e dedikuar diskutimeve mbi çështjet dhe problematikat e evidentuara gjatë takimeve të deputetëve me zgjedhësit në zonat e tyre elektorale.
Seanca plenare u drejtua nga nënkryetarja e Kuvendit, Klodiana Spahiu.
Në nisje të punimeve, pas miratimit të procesverbalit të seancës së datës 21 maj 2026 dhe shqyrtimit të njoftimeve, deputetët votuan tre projektvendime që lidhen me organizimin dhe funksionimin e komisioneve të përhershme parlamentare.
Konkretisht, Kuvendi miratoi me 78 vota pro, asnjë kundër dhe 1 abstenim projektvendimin “Për caktimin e kryesive të komisioneve të përhershme të Kuvendit”.
Gjithashtu, me 76 vota pro u miratua projektvendimi “Për caktimin e anëtarësisë së komisioneve të përhershme të Kuvendit”, ndërsa me 82 vota pro u miratua projektvendimi “Për caktimin e anëtarëve zëvendësues në përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit”.
Gjatë diskutimeve në seancë, deputetët ngritën një sërë çështjesh të evidentuara në takimet me qytetarët, që lidhen me investimet dhe problematikat në sektorë të ndryshëm.
Ndër temat e trajtuara ishin protestat dhe investimet në Zvërnec, investimet në shëndetësi dhe problematikat në marrjen e trajtimit mjekësor, zhvillimi i turizmit, nevoja për subvencionimin e bujqësisë, mungesa e infrastrukturës në argjinaturat mbrojtëse, udhëzimi mbi trajtimin hormonal në Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, si dhe investimet në arsim.
Punimet e seancës plenare u mbyllën rreth orës 20:30.
/gj.m/r.e/a.f/