E Diel, 1 Nëntor 2026

LDK zyrtarizon emrat e kandidatëve për deputet, Abdixhiku: Gati për të ardhmen euroatlantike me numrin 123

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka publikuar listën e saj me 110 kandidatë për deputetë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Nën drejtimin e Lumir Abdixhikut, partia hyn në këtë garë me numrin e veçantë 123 dhe me sloganin “Zgjedh shpresën”.

Në prezantimin e ekipit, kryetari Abdixhiku e cilësoi këtë formacion jo thjesht si një listë emrash, por si një platformë për të ardhmen perëndimore të vendit. Ai theksoi se lista është ndërtuar mbi ekuilibrin mes përvojës dhe rinisë.

“Kjo është lista e të ardhmes sonë. Një kombinim i njerëzve të dëshmuar në profesionet e tyre, aktivistëve të palodhur të LDK-së, gjeneratës së re që kërkon hapësirë e përgjegjësi,” shkroi Abdixhiku në rrjetet sociale.

Sipas kreut të LDK-së, kriteret bazë për përzgjedhjen e kandidatëve kanë qenë integriteti moral dhe kontributi profesional. Në listë përfshihen figura që, sipas tij, kanë ndërtuar institucione, ekonominë dhe sistemin e sigurisë në Kosovë. “Çdo emër në këtë listë qëndron mbi vlera; integritet, besim dhe shërbim ndaj qytetarëve,” përfundoi ai, duke ftuar qytetarët të besojnë në vizionin euroatlantik.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›