LIBAN – Disa të vrarë në përleshjet e fundit mes Izraelit dhe Hezbollahut

BEJRUT, 5 qershor /ATSH-DPA/- Konflikti i përgjakshëm mes milicisë Hezbollah, të mbështetur nga Irani, dhe Izraelit ka shkaktuar viktima të tjera në jug dhe lindje të Libanit, njoftoi sot Ministria e Shëndetësisë e vendit.
Ministria tha se të paktën tetë persona janë vrarë gjatë sulmeve, në jug dhe lindje të vendit, dhe disa të tjerë janë plagosur, mes tyre gra dhe fëmijë.
Ushtria izraelite njoftoi se një ushtar izraelit është vrarë gjatë një sulmi të kryer nga milicia islamiste libaneze, Hezbollah kundër trupave të dislokuara në jug të Libanit.
Izraeli dhe Libani, këtë javë, ranë dakord për një përpjekje të re për zbatimin e një marrëveshjeje armëpushimi, e cila deri më tani ka pasur efekt të kufizuar.
Hezbollahu refuzoji dje marrëveshjen e fundit të armëpushimit, të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, mes Izraelit dhe qeverisë libaneze, duke kërkuar tërheqjen e plotë të forcave izraelite nga Libani.
Qeveria libaneze nuk është palë në konflikt dhe ka ndikim të kufizuar mbi Hezbollahun, i cili nuk ishte i përfshirë në bisedime.
Pas sulmit të ri të Hezbollahut, ushtria izraelite deklaroi se kishte goditur infrastrukturën e grupit.
Gjatë natës, Hezbollahu njoftoi një tjetër sulm me raketa ndaj trupave izraelite, në jug të Libanit.
Pretendimet e palëve nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur. //a.i/