LISBONË – Luis Montenegro riemërohet kryeministër i Portugalisë

LISBONË, 29 maj /ATSH-DPA/- Luis Montenegro u riemërua sot kryeministër i Portugalisë nga presidenti Marcelo Rebelo de Sousa.
Një javë e gjysmë më parë, Aleanca Demokratike (AD) e qendrës së djathtë e Montenegro – fitoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare me një diferencë të madhe, por edhe një herë humbi shumicën absolute, që do të thotë se kryeministri do të duhet të drejtojë me një qeveri minoritare.
Sprova e parë e Montenegro do të jetë – kur ai t’ia paraqesë programin e tij qeveritar parlamentit të ri – seanca e të cilit do të zhvillohet më 3 ose 5 qershor.
Nëse programi i qeverisë së re refuzohet, vendi përballet me një ngërç politik dhe ndoshta me zgjedhje të tjera të parakohshme, të cilat, sipas kushtetutës, mund të zhvillohen vetëm pas një viti, në rastin më të mirë.
Që nga viti 2022 ka pasur tre zgjedhje të parakohshme.Zgjedhjet e fundit ishin të nevojshme pasi Montenegro humbi një votëbesim që ai vetë e kishte thirrur në mars.
Avokati 52-vjeçar u vu nën presion nga opozita për shkak të marrëveshjeve të errëta të një biznesi familjar.
Që atëherë, Portugalia ka pasur vetëm një qeveri të përkohshme me kompetenca të kufizuara.
Megjithatë, akuzat nuk e dëmtuan aleancën e tij në zgjedhjet e parakohshme të 18 majit.
Konservatorët madje rritën numrin e vendeve në parlament nga 80 në 91. Megjithatë, shumica absolute prej të paktën 116 vendesh mbeti shumë larg.
Për herë të parë, populistët e krahut të djathtë të Chega (Mjaft!) dolën në vendin e dytë me 60 vende, përpara Partisë Socialiste (PS) me 58 vende.
Kohët e fundit, Montenegro vazhdoi të përjashtonte bashkëpunimin me populistët e krahut të djathtë. Një koalicion midis konservatorëve dhe socialistëve u përjashtua gjithashtu për shkak të mosmarrëveshjeve të papajtueshme.
Vëzhguesit kanë paralajmëruar për një të ardhme të pasigurt. //a.i/