E Diel, 1 Nëntor 2026

LONDËR – Dua Lipa dhe Callum Turner martohen në një ceremoni intime

LONDËR, 31maj /ATSH/ – Këngëtarja britanike Dua Lipa dhe aktori britanik Callum Turner janë martuar zyrtarisht. Artistja 30-vjeçare dhe aktori 36-vjeçar kurorëzuan dashurinë e tyre në një ceremoni intime sot të zhvilluar në Londër, sipas “The Times”.

Çifti u martua në Old Marylebone Town Hall, një nga vendet më të njohura për celebrimin e martesave në kryeqytetin britanik.

Fotot e para të ceremonisë tregojnë Dua Lipën me një fustan të personalizuar haute couture, ndërsa Turner ishte veshur me një kostum ngjyrë blu të errët.

Sipas raportimeve, kjo ishte vetëm pjesa e parë e festimeve. Çifti pritet të organizojë një tjetër ceremoni madhështore disa ditë më vonë në Sicili, ku festimet do të zgjasin tri ditë dhe do të marrin pjesë shumë të ftuar të njohur.

Burime pranë çiftit kanë bërë të ditur se për eventin në Itali janë rezervuar disa ambiente luksoze dhe se stilisti francez Simon Porte Jacquemus mund të dizajnojë të paktën një nga fustanet e nuses.

Thashethemet për fejesën e çiftit nisën në vitin 2024, kur Dua Lipa u pa me një unazë diamanti në gisht. Më vonë, ajo e konfirmoi vetë fejesën në një intervistë për revistën “British Vogue”, duke e cilësuar vendimin për të kaluar jetën së bashku si një ndjenjë shumë të veçantë.

Martesa e tyre i jep fund muajve të spekulimeve dhe shënon një moment të rëndësishëm në jetën personale të një prej artisteve më të suksesshme të muzikës pop në botë. /Ad.Ab.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›