E Diel, 1 Nëntor 2026

LONDËR – Miliband: E ardhmja e BM në një partneritet më të thellë me BE

LONDËR, 28 shtator /ATSH-DPA/ – Sekretari i Jashtëm britanik, Ed Miliband, deklaroi sot se e ardhmja e Britanisës së Madhe në ekonomi, mbrojtje dhe siguri qëndron në një partneritet më të fortë dhe më të thellë me Bashkimin Evropian.

Duke folur në konferencën e Partisë Laburiste në Liverpool, Miliband tha se Evropa nuk është vetëm çështje gjeografie për Britaninë, por edhe hapësira ku vendi ndjek vlerat dhe interesat e tij, nga klima dhe Lindja e Mesme deri te tregtia dhe mbrojtja.

Ai theksoi se Britaniae Madhe do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën dhe të kundërshtojë kërcënimet e Rusisë.

“Ne nuk do t’u dorëzohemi kurrë kërcënimeve të Rusisë që të qëndrojmë mënjanë dhe të braktisim popullin e Ukrainës”, tha Miliband.

Sipas tij, Britania e Madhe është pjesë e përpjekjeve për të mbështetur Ukrainën si në aspektin humanitar, ashtu edhe si një vend evropian.

Ai argumentoi se bashkëpunimi me vendet e tjera evropiane është i nevojshëm për mbrojtjen e aleancave dhe interesave britanike.

“E ardhmja jonë qëndron në një partneritet më të fortë dhe më të thellë me Bashkimin Evropian”, tha Miliband, duke e lidhur këtë qasje me ekonominë, mbrojtjen dhe sigurinë.

Në fjalimin e tij, ministri i Jashtëm britanik iu drejtua gjithashtu njerëzve që janë të shqetësuar dhe të zemëruar nga situata e popullit palestinez, duke thënë se shqetësimet e tyre janë dëgjuar.

Ndërkohë, ministri britanik për marrëdhëniet me BE-në, Hamish Falconer, tha se shpresonte të gjendej një “marrëveshje e arsyeshme” që Britania të mos përjashtohej nga skema e propozuar “Made in Europe”.

Skema synon që kontratat publike dhe subvencionet e BE-së të orientohen kryesisht drejt prodhuesve që ndodhen brenda bllokut.

Kryeministri britanik Andy Burnham i ka bërë thirrje BE-së të shmangë atë që e ka përshkruar si “dëm anësor” për industrinë britanike.

Falconer tha se skema është ende në fazën e propozimit dhe se nuk ka arsye për shqetësim të madh përpara se negociatat të avancojnë më tej. /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›