LONDËR – Starmer: Mandelson tradhtoi BM me informacionet e dërguara Epsteinit

LONDËR, 4 shkurt /ATSH-DPA/ – Peter Mandelson e ka tradhtuar Britaninë e Madhe duke dërguar informacione drejt Jeffrey Epstein, tha sot kryeministri britanik, Keir Starmer.
Duke folur në Dhomën e Komuneve, Starmer deklaroi se Mandelson kishte gënjyer vazhdimisht për marrëdhënien e tij me financierin pedofil Epstein gjatë procesit të emërimit si ambasador në SHBA.
Kryeministri tha gjithashtu se kishte biseduar me mbretin Charles III për largimin e Mandelson nga Këshilli Privat (Privy Council).
”Mandelson e tradhtoi vendin tonë, Parlamentin dhe partinë time”, u shpreh Starmer.
”Ai gënjeu vazhdimisht ekipin tim kur u pyet për marrëdhënien e tij me Epstein para dhe gjatë mandatit të tij si ambasador. Pendohem që e emërova. Po ta dija atëherë çfarë di tani, ai nuk do të ishte kurrë pranë qeverisë”, theksoi ai.
Mandelson ka dhënë dorëheqjen nga Dhoma e Lordëve, por Starmer tha se po hartohet legjislacion për t’i ndaluar atij përdorimin e titullit ”lord”.
Ai shtoi se kishte rënë dakord me mbretin Charles III që Mandelson të mos ishte më anëtar i Këshillit Privat, çka i lejonte të përdorte titullin ”Right Honourable”, pasi kishte ”diskredituar reputacionin e Këshillit Privat”.
Dokumentet mbi emërimin e Mandelson si ambasador në SHBA do të publikohen nga qeveria pasi liderja konservatore, Kemi Badenoch përdori një procedurë parlamentare për të kërkuar dorëzimin e tyre.
Ajo pritet të kërkojë sot publikimin e të gjitha dokumenteve që tregojnë se si Mandelson mori postin në Uashington, përfshirë mesazhet e shkëmbyera me figura kyçe të rrethit të ngushtë të kryeministrit Starmer, si shefi i kabinetit Morgan McSweeney dhe ministra të lartë.
Kryeministri ka rënë dakord për publikimin e dokumenteve, me kusht që ato të mos dëmtojnë sigurinë kombëtare apo marrëdhëniet ndërkombëtare.
Ai shtoi se edhe Policia Metropolitane kishte ngritur shqetësime për çdo material që mund të cenonte hetimin e saj mbi dyshimet për keqpërdorim të detyrës publike nga ana e Mandelson./ /Ad.Ab./ a.jor.