E Diel, 1 Nëntor 2026

LONDER -Starmer takohet me kryeministrin kinez në G20, mes zërave për një vizitë në Pekin

LONDËR, 24 nëntor /ATSH-DPA/ – Kryeministri britanik Keir Starmer është takuar me kryeministrin kinez Li Qiang gjatë samitit të G20-s javën e kaluar, në një kohë kur po qarkullojnë spekulime se ai mund të vizitojë Pekinin në fillim të vitit të ardhshëm.

Dy liderët raportohet se vetëm kanë përshëndetur njëri-tjetrin në një takim të shkurtër rastësor dhe nuk kanë zhvilluar bisedime formale dypalëshe, pas të cilave zakonisht zyra e kryeministrit britanik publikon një njoftim zyrtar.

Kina u përfaqësua në samit nga kryeministri Li, dhe jo nga presidenti Xi Jinping, në takimin e mbajtur në Johanesburg të Afrikës së Jugut.

Takimi vjen pasi Starmer ka premtuar se do të mbrojë “me vendosmëri” interesat kombëtare të Britanisë së Madhe,mes pyetjeve që kanë lindur për vazhdimin e angazhimit të qeverisë britanike me Kinën.

I pyetur javën e kaluar nëse do të vizitojë Kinën, Starmer tha se asgjë nuk është konfirmuar ende, ndërsa zyrtarët refuzuan të komentojnë mbi spekulimet për një “mega-ambasadë” kineze të planifikuar pranë Tower of London.

“Qasja jonë është e njëjta si gjithmonë: bashkëpunojmë kur mundemi dhe sfidojmë kur duhet, veçanërisht për çështjet e sigurisë kombëtare”, tha Starmer.

“Këtë e patë këtë javë, lidhur me spiunazhin — patëm një deklaratë në Dhomën e Komuneve ku u paraqitën masat që po ndërmerr qeveria bashkë me MI5, sepse ne do të mbrojmë gjithmonë me vendosmëri interesat tona”. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›