E Diel, 1 Nëntor 2026

LUKSEMBURG – BE-ja pritet të miratojë sot sanksione të reja ndaj Rusisë dhe mbështetje shtesë për Ukrainën

LUKSEMBURG, 15 qershor /ATSH-DPA/ – Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian pritet të miratojnë sot një paketë të re sanksionesh ndaj Rusisë dhe të diskutojnë mbështetje të mëtejshme për Ukrainën, gjatë takimit të tyre në Luksemburg.

Në fokus të bisedimeve do të jenë gjithashtu zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe marrëdhëniet e BE-së me Kinën.

Diplomatët evropianë pritet të vendosin sanksione, ndaj dhjetëra anijeve të tjera që konsiderohen pjesë e të ashtuquajturës “flotë hije” e Rusisë, një rrjet cisternash dhe anijesh mallrash që Moska përdor për të shmangur kufizimet ndërkombëtare.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme Kaja Kallas, deklaroi javën e kaluar se ministrat pritet të bien dakord edhe për ngrirjen e aseteve dhe vendosjen e ndalimeve të hyrjes në BE, për individë dhe organizata të tjera, që mbështesin luftën e Rusisë kundër Ukrainës.

Pjesë takimit është edhe paketa e 21-të e sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë, e cila mund të përfshijë ndalimin e hyrjes, në territorin e unionit për ushtarët rusë, që kanë marrë pjesë në luftën në Ukrainë. Megjithatë, vendimi për këtë paketë, pritet të merret në një fazë të mëvonshme.

Ministrat do të shqyrtojnë gjithashtu mënyrën e përdorimit të 6,6 miliardë eurove nga fondi ushtarak i BE-së për Ukrainën.

Shpërndarja e këtyre fondeve ishte bllokuar më herët nga ish-kryeministri hungarez Viktor Orbán.

Ndërkohë, BE-ja njoftoi para fundjavës, se do të nisë zyrtarisht të hënën negociatat e anëtarësimit me Ukraine dhe Moldova.

Blloku evropian i hapi formalisht negociatat e anëtarësimit, me të dy vendet në qershor 2024, por avancimi i bisedimeve me Ukrainën ishte penguar nga Hungaria nën drejtimin e Orbán.

Përveç Ukrainës, ministrat do të diskutojnë edhe situatën në Lindjen e Mesme, përfshirë masat e mundshme ndaj Izraelit, për shkak të mbështetjes ndaj kolonëve izraelitë, në Bregun Perëndimor dhe veprimeve ushtarake në Rripin e Gazës.

Në rendin e ditës do të jenë gjithashtu marrëdhëniet e Bashkimit Evropian me Kinën. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›