E Hënë, 2 Nëntor 2026

“La Traviata”, shfaqet në TKOB premiera e produksionit të ri

TIRANË, 26 shtator /ATSH/ U shfaq mbrëmjen e sotme në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas e Baletit, në një sallë të mbushur plot e përplot me spektatorë, premiera e “La Traviata”-s, e kompozitorit të shquar italian Xhuzepe Verdi.

Historia e dashurisë e Violetës, nën vizionin artistik të Hugo de Ana-s dhe mjeshtërisë muzikore të Francesco Ommassini-t, mori jetë sonte në TKOB përmes një skenografie monumentale dhe një gjuhe vizuale që tejkaloi kohët, duke e sjellë këtë kryevepër deri në ditët tona.

Violeta shkëlqeu nën interpretimin e sopranos Eva Golemi, rol të cilin ajo e ka intrepretuar 70 herë gjatë karrierës së saj artistike.

“La Traviata” e Verdit është një nga operat më të famshme në botë. Ajo është krijuar mbi bazën e veprës “Zonja me kamelie” të Aleksandër Dymasë. Bëhet fjalë për një histori të një kurtizaneje, e cila dashurohet me një fisnik, por i ati i djalit e pengon dashurinë e tyre.

Natën e dytë, rolin e Violeta Valery do ta interpretojë sopranoja Zuzana Marková, një nga zërat më të kërkuar të repertorit belkanto.

Natën e tretë të shfaqjes (28 shtator) do të jetë Nina Muho, soprano e TKOBAP-së, e cilësuar si një zë dhe performuese bindëse për një repertor të gjerë operistik, që do të interpretojë rolin e Violetës, në operan “La Traviata”.

Produksioni i ri i kryeveprës së “belcanto”-s italiane do të shfaqet për 4 net rresht (26, 27, 28 dhe 29 shtator) në sallën e TOKB. Sipas organizatorëve, biletat për datat 28 dhe 29 janë të gjitha të shitura.

1 nga 17

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›