E Diel, 1 Nëntor 2026

Laert Haxhiut i refuzohet rekursi, mbetet në fuqi dënimi me burg përjetë

Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e Laert Haxhiut, duke lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm të dhënë më herët nga Apeli i Posaçëm.

Shkalla e tretë e gjyqësorit nuk mori parasysh kërkesën e Haxhiut për prishjen e vendimit të mëparshëm. Vendimi është dhënë nga trupa gjykuese e përbërë nga Ilir Panda, Sokol Binaj dhe Sandër Simoni.

Laert Haxhiu është shpallur fajtor për ngjarjen e njohur si “Masakra e Lushnjës”, e regjistruar në vitin 2017, ku mbetën të vrarë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, ndërsa u plagosën Bujar Turku dhe Marius Xhepexhiu.

Për të njëjtën çështje janë dënuar me burgim të përjetshëm edhe Orgest Bilbili dhe Anterio Kaloshi.

Të dënuarit akuzohen për veprat penale:

  • “Vrasje në rrethana cilësuese ndaj dy ose më shumë personave”,
  • “Kryerja e veprave penale në kuadër të grupit kriminal”,
  • “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”,
  • si dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›