Lajm i rremë për protestë te “Qemal Stafa”, pamjet janë nga Tuzi i Malit të Zi

TIRANË, 14 shtator/ATSH/ Pamjet e publikuara nga disa ligjvënës të Partisë Demokratike dhe më pas të shpërndara në medie e rrjetet sociale, ku pretendohej se në gjimnazin “Qemal Stafa” është zhvilluar një protestë, nuk janë të vërteta, por një lajm i rremë.
Agjencia për Media dhe Informim, duke shpërndarë videon, sqaron se pamjet i përkasin një proteste në Tuz të Malit të Zi.
“Videoja e publikuar nga disa deputetë të Partisë Demokratike dhe tashmë në disa faqe online, me pretendimin se nxënësit e gjimnazit ‘Qemal Stafa’ në Tiranë janë ngritur në protestë me thirrjet ‘Rama, jep dorëheqjen’, është e rreme dhe paraqitet jashtë kontekstit”, thuhet në reagim.
Sipas njoftimit, pamjet origjinale nuk i përkasin Shqipërisë dhe janë realizuar gjatë një proteste nxënësish në Tuz, në Malin e Zi.
“Përdorimi i pamjeve nga një tjetër vend, duke u ndryshuar qëllimisht vendndodhja dhe konteksti, përbën dezinformim të opinionit publik”, thuhet në reagim.
Shkolla nënvizon se fakti i verifikuar është se videoja është realizuar në Tuz dhe nuk lidhet me zhvillimet në gjimnazin “Qemal Stafa” në Tiranë.
“Përdorimi i pamjeve nga një tjetër vend, duke u ndryshuar qëllimisht vendndodhja dhe konteksti, përbën dezinformim të opinionit publik. Në gjimnazin ‘Qemal Stafa’, mësimi ka nisur dhe është zhvilluar normalisht”, përfundon njoftimi i MIA-s.
Gjimnazi “Qemal Stafa”, në rrjetet sociale, thekson se “dita e parë e vitit të ri shkollor 2026–2027 është zhvilluar e qetë, normalisht dhe pa asnjë incident, në përputhje me planin e veprimit të hartuar paraprakisht nga Drejtoria e shkollës për organizimin e kësaj dite”.
“Procesi i pritjes dhe orientimit të nxënësve, aktivitetet e planifikuara dhe vijimi i veprimtarive orientuese për nxënësit janë zhvilluar sipas programit të përcaktuar. Nuk ka pasur protestë të nxënësve, përplasje, ndërprerje të procesit apo ndonjë situatë problematike brenda ambienteve të gjimnazit ‘Qemal Stafa’”, thuhet në reagim.
Sipas drejtuesve të shkollës, “publikimi i informacioneve të paverifikuara, titujve të ndjeshëm apo kronikave që nuk pasqyrojnë realitetin dëmton jo vetëm imazhin e institucionit, por krijon edhe shqetësim të panevojshëm te nxënësit, prindërit dhe komuniteti”.
“Drejtoria e shkollës distancohet nga çdo informacion i pavërtetë apo keqinterpretim që lidhet me zhvillimin e ditës së parë të shkollës, garanton prindërit për realizimin e një procesi të rregullt e me prioritet fëmijët dhe u bën thirrje të gjitha strukturave mediatike që, përpara publikimit të lajmeve që lidhen me veprimtarinë e institucionit, të kërkojnë dhe të verifikojnë informacionin pranë burimeve zyrtare”, thuhet në njoftim.
/e.xh/a.f/r.e/