E Diel, 1 Nëntor 2026

Lamallari: Gjysma e draftit për Kodin e ri Penal u ndryshua pas konsultimit publik

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari bëri të ditur sot se pas konsultimit publik ka ndryshuar gjysma e draftit të Kodit të ri Penal, i cili në përfundim të procesit do t’i dërgohet Komisionit Europian.

Gjatë një konference për shtyp, Lamallari vlerësoi punën e bërë nga grupi i punës lidhur me Kodin e ri Penal.

“Pasi janë marrë mendimet nga konsultimi publik ka ndryshuar gjysma e draftit të paraqitur në korrik për konsultim publik. Puna do të vijojë intensivisht. Ne kemi bashkëpunuar dhe kemi marrë mendime dhe analiza konkrete nga Këshilli i Europës, edhe për Kodin e procedurës Penale. Kur flasim për paraburgimin, nuk preket vetëm njëri kod, por edhe Kodi Penal”, tha ai.

Ndërkohë Lamallari theksoi se afati për miratimin e Kodit të ri Penal varet edhe nga përfundimi i shpejtë i reflektimit të amendimeve të ardhura nga institucione të ndryshme.

“Është e rëndësishme që të kemi raund të dytë takimesh ku secili prej institucioneve që ka dhënë kontribut do të ballafaqohet nga grupi i punës. Në përfundim të fazës së dytë, do të kemi dërgimin e draftit final në Komisionin Europian. Është një punë kolosale, por është e rëndësishme që të kemi një draft që jo vetëm të marrë dritë jeshile nga Komisioni Europian, por të jetë i mirëkonsultuar”, deklaroi ministri.

/m.m/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›