E Diel, 1 Nëntor 2026

Lamallari: Operacioni në Priskë, sprova e parë e vullnetarëve kundër zjarrit nga Illyrian Guard

TIRANË, 13 gusht /ATSH/ Operacioni për përballimin e zjarreve në Priskë ka shënuar edhe angazhimin e parë në terren të vullnetarëve të parë kundër zjarrit nga Illyrian Guard, në mbështetje të strukturave që po punojnë për izolimin dhe shuarjen e flakëve.

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka ndarë pamje nga operacioni në Priskë, ku vullnetarët e Illyrian Guard iu bashkuan zjarrfikësve, Policisë së Shtetit dhe Forcave të Armatosura në përpjekjet për mbrojtjen e jetës dhe pronës.

Sipas Lamallarit, angazhimi i vullnetarëve dhe solidariteti i tyre përbëjnë një ndihmë të çmuar për ekipet e emergjencave, të cilat prej ditësh po përballen me vatra zjarri në terrene të vështira dhe në kushtet e temperaturave të larta.

“Operacioni në Priskë ishte edhe sprova e parë e vullnetarëve të parë kundër zjarrit nga Illyrian Guard”, shprehet ministri, duke vlerësuar kontributin e tyre në terren.

Lamallari thekson se strukturat vijojnë të jenë të angazhuara krah për krah për neutralizimin e vatrave të zjarrit dhe mbrojtjen e komuniteteve të prekura.

“Vazhdojmë krah për krah me guxim dhe vendosmëri për neutralizimin e çdo vatre”, shprehet ministri i Brendshëm.

/e.i/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›