E Diel, 1 Nëntor 2026

Lamallari: Përmirësim të trajtimit financiar dhe rritje të kushteve të punës për zjarrfikësit

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari ka bërë të ditur se qeveria ka miratuar vendimin që synon të përmirësojë trajtimin financiar dhe kushtet e punës për punonjësit e Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit.

Sipas deklaratës së ministrit Lamallari, vendimi garanton një trajtim më të drejtë dhe motivues për orët shtesë, punën gjatë natës, në ditët e pushimit dhe festat zyrtare.

Gjithashtu, Lamallari shpjegon kjo vendos edhe standarde të qarta për mbrojtjen e efektivëve nga mbingarkesa në punë.

“Një lajm i mirë për ata që janë në vijën e parë sa herë që qytetarët kanë nevojë, që përballen me zjarrin, rrezikun dhe çdo situatë emergjente, pa kursyer asgjë nga vetja”, tha ministri Lamallari.

Ai e cilësoi vendimin si “një hap tjetër domethënës” në përmbushjen e angazhimeve të qeverisë për të forcuar dhe mbështetur më tej punonjësit e këtij shërbimi vital.

“Përkushtimi i tyre nuk njeh orar e as vështirësi ndaj ne kemi detyrimin e përbashkët t’ju gjendemi gjithmonë pranë. Respekt!”, theksoi ministri Lamallari.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›