Lamallari në forumin e “Europa Wachau” në Austri-Diskutohet qasja e re dhe efektive për emigracionin

Me ftesë zyrtare të ministrit të Brendshëm të Austrisë, Gerhard Karner, dhe Komisionerit për Çështjet e Brendshme të Bashkimit Evropian, Magnus Brunner, ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari mori pjesë në Forumin prestigjioz “Europa Wachau”, ku u diskutua një qasje e re dhe më efektive për menaxhimin e flukseve migratore.
Gjatë forumit, u theksua nevoja për bashkëpunim të ngushtë rajonal dhe evropian për të adresuar sfidat e sigurisë dhe migracionit të parregullt.
“Riafirmova rolin dhe kontributin e çmuar të Shqipërisë si një partner i besueshëm sigurie dhe solidariteti në adresimin e përbashkët të sfidave me të cilat përballet sot Evropa”, thuhet në deklaratën e lëshuar pas takimit nga ministri i Brendshëm.
Pjesëmarrja në këtë forum vjen në një moment kyç për Shqipërinë, teksa vendi ynë vazhdon të forcojë bashkëpunimin me shtetet e Bashkimit Evropian në fushën e sigurisë kufitare, luftës kundër krimit të organizuar dhe menaxhimit të migracionit.
Forumi “Europa Wachau” është një nga platformat më të rëndësishme diskutimi mbi çështjet e sigurisë dhe migracionit në nivel evropian, ku marrin pjesë ministra, komisionerë të BE-së dhe ekspertë të fushës.
/rtsh.al/