E Diel, 1 Nëntor 2026

Lamallari në takimin e Grupit Ndërinstitucional për Integrimin Evropian: Reforma në drejtësi konsolidohet, legjislacioni penal përafrohet me BE

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, ka njoftuar përmes një statusi në rrjetet sociale mbi takimin e Grupit Ndërinstitucional të Punës për Integrimin Evropian, ku u diskutua ecuria e negociatave në nivel teknik përgjatë vitit 2025.

Ai theksoi se falë bashkëpunimit serioz ndërinstitucional, Shqipëria ka arritur rezultate domethënëse duke adresuar 51 nga 64 boshllëqet kritike të Grupkapitullit të Themelorëve, ndërsa pjesa tjetër është tashmë në një proces të avancuar.

Lamallari vuri në dukje se reforma në drejtësi ka nevojë të konsolidohet më tej, por deri më tani janë bërë hapa të rëndësishëm në forcimin e pavarësisë së gjyqësorit, në mbrojtjen e të drejtave themelore, në garantimin e lirisë së medias dhe në përafrimin e legjislacionit penal me standardet e Bashkimit Evropian.

Ai shtoi se viti 2026 mbetet një tjetër vit sfidues për ecurinë e negociatave dhe për rrugën pa kthim drejt përmbushjes së aspiratës së Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke nënvizuar se integrimi evropian është një proces që kërkon përkushtim të vazhdueshëm dhe se rezultatet e arritura deri më tani tregojnë seriozitetin e institucioneve shqiptare dhe vendosmërinë e tyre për të qenë pjesë e familjes evropiane.

“Teksa reforma në drejtësi ka nevojë të konsolidohet më tej ne kemi bërë hapa të rëndësishëm në forcimin e pavarësisë së gjyqësorit, në mbrojtjen e të drejtave themelore, në lirinë e medias dhe në përafrimin e legjislacionit penal me standardet e Bashkimit Evropian. 2026 mbetet një tjetër vit sfidues për ecurinë e negociatave dhe për rrugën tonë pa kthim drejt përmbushjes së aspiratës për Shqipërinë në BE”-shkruan ministri.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›