E Diel, 1 Nëntor 2026

Lamallari për ngjarjen në Zvërnec: Hetime për rojat dhe zinxhirin e Policisë së Shtetit

TIRANË, 31 maj /ATSH/ Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka reaguar sot lidhur me ngjarjen në zonën e Zvërnecit, duke sqaruar se projekti lidhet me një pronë tërësisht private dhe se shteti nuk ka dhënë dhe as ka në dispozicion tokë për të dhënë.

Sipas ministrit, prona në fjalë u është kthyer pronarëve dhe është regjistruar në hipotekë vite përpara se qeveria aktuale të vinte në detyrë.

“Projekti i Zvërnecit lidhet me një tokë tërësisht private dhe qeveria shqiptare as ka falur tokë, as ka tokë për të falur – jo vetëm sepse ne nuk i kemi falur ndonjëherë tokë askujt, po edhe sepse në këtë rast ajo pronë u është kthyer pronarëve dhe është regjistruar në hipotekë, vite përpara sesa ne të vinim në qeveri”, deklaroi Lamallari.

Ai shtoi se në rastin e pronës private, rojat e sigurisë nuk kanë asnjë të drejtë të përdorin forcë ndaj qytetarëve dhe se personat përgjegjës duhet të përballen me ndjekje penale.

“Po nëse prona është private, rojat private të pronës nuk kanë asnjë të drejtë të përdorin forcë ndaj askujt dhe jo vetëm ata si individë duhet të ndiqen penalisht, siç po ndiqen, po edhe për kompaninë e tyre hetimi administrativ për paaftësi totale në ushtrimin e aktivitetit të autorizuar, duhet të mbyllet sa më parë të jetë e mundur”, u shpreh ministri.

Lamallari përshëndeti gjithashtu reagimin e shpejtë të Policisë së Shtetit për pezullimin e drejtuesve vendorë dhe nisjen e hetimeve në zinxhirin e komandimit, duke theksuar se sjellja e rojave private dhe indiferenca e policisë në vendngjarje janë të papranueshme.

“E përshëndes reagimin e shpejtë të drejtorisë së përgjithshme të Policisë së Shtetit për pezullimin e drejtuesve vendorë dhe vënien nën hetim të zinxhirit të komandimit, sepse nuk ishte e papranueshme vetëm sjellja skandaloze e rojave private, po edhe indiferenca e pajustifikueshme e policisë së pranishme në vend”, tha ai.

Sipas tij, strukturat e Policisë së Shtetit kanë nisur një proces të thellë përgjegjshmërie që do të vijojë në të gjitha nivelet, nga Saranda në Vlorë.

Ai theksoi se uniformat blu duhet të garantojnë rendin ligjor dhe mbrojtjen e pronës publike e private, si dhe të ruajnë besimin e qytetarëve.

“Goditja brenda radhëve të Policisë së Shtetit, që nisi në Sarandë dhe ka vazhduar në Vlorë, do të jetë një konstante e punës së strukturave tona në këtë kapitull të ri të drejtimit të tyre”, tha ai.

“Uniformat blu janë dhe duhet të jenë në çdo rast, garante të rendit ligjor, ku mbrojtja e pronës publike apo private janë një pjesë thelbësore. Por po ashtu ato duhet të garantojnë edhe pacënueshmërinë e besimit të qytetarëve tek uniforma e policisë, prandaj çdo devijim nga këto parime do të goditet përmes bashkëpunimit të ngushtë mes strukturave drejtuese të policisë dhe të Agjencisë së Mbikqyrjes Policore”, përfundoi Lamallari.

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›