E Hënë, 2 Nëntor 2026

Lamtumira e fundit për Janullatos! Udhëheqës të Kishës Ortodokse, politikanë e besimtarë nderojnë figurën e Kryepeshkopit

Me shumë respekt dhe nderim për figurën e tij, iu dha sot lamtumira e fundit kryepeshkopit Anstas Janullatos në Katedralen “Ngjallja e Krishtit’ në Tiranë.

Ceremonia u drejtua nga Patriarku Ekumenik i Kostandinopojës, Bartolomeu.

“Ai Kontribuoi fuqishëm në ndërtimin e një mirëkuptimi më të thellë me besimet e tjera që sot jetojnë pranë nesh me kultivimin e marrëdhënieve të bashkëjetesës dhe mirëkuptimit”, tha Patriarku Ekumenik i Kostandinopojës, Bartolomeu.

Në ceremoni morën pjesë udhëheqësit e Kishave Ortodokse në botë, bashkë me ta edhe krerët më të lartë të shtetit dhe politikës në Shqipëri, përfshirë kryeministrin Edi Rama, homologun e tij Grek Kirios Mitsotacis si dhe një numër i madh besimtarësh.

“Duhet pranuar se është vështirë të gjendet në kujtesën tonë historike dikush i çfarëdo kombësie tjetër që të ketë qenë që jetë identifikuar me aq krenari dhe përkushtim, me fjalë dhe me vepra me emrin e Shqipërisë sa kryepeshkopi Anastas. Kryepeshkopi Erdhi si prift nga Greqia e ndahet si Anastasi i Shqipërisë. Gjithë çfarë mban rruzulli me njerëz të nderuar të fesë, përmes dialogut ndërfetar, deri te çdo kryetar shteti që njohu, ia patën zili Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë”, tha Rama.

Për kreun e qeverisë Greke Kiriakos Mitsotakis, Kryepeshkopi ishte një urë miqësie mes dy popujve dhe hallkë komunikimi mes dy shteteve.

“Për grekët dhe orthodhoksët në Shqipëri dhe kudo në botë, Anastasi ishte burim krenarie. Ai ishte një shërbëtor i palodhur dhe i përulur, duke ofruar shpresë dhe udhëzim shpirtëror për besimtarët orthodhoksë kudo në botë. Me urtësinë e tij teologjike dhe përulësinë e tij, ai dëshmoi se Kisha Orthodhokse mund të jetë një komunitet i gjallë dashurie dhe kujdesi shoqëror, që bashkon popujt”, deklaroi Mitsotakis.

I pranishëm ishte presidenti Begaj, kryetarja e Kuvendit Spiropali, kryetari i PD-së Berisha si dhe Patriarku Izraelit; Kryepeshkopi i Greqisë,  Patriarku i Qipros, i Bullgarisë dhe Rumanisë, ndërsa munguan Partiarku i Serbisë dhe Rusisë. Por në homazhe ndodhej ambasadori rus në Shqipëri.

Pas dy ditësh homazhe, Kryepeshkopi Anastas prehet në kriptën e Katedrales, aty ku sipas traditës së lashtë ortodokse, varrosen prijësit e kishës që kanë ndërtuar e drejtuar tempujt e shenjtë.

Kryepeshkopi Anastas u nda nga jeta në moshën 95-vjeçare më 25 janar. Ai mori drejtimin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare më 2 gusht 1992, plot 33 vite më parë. Katedralja Ngjallja e Krishtit, e vendosur në qendër të Tiranës është kisha e tretë më e madhe ortodokse në Europë, një ndër dhuratat e Hirësisë së tij për popullin shqiptar. /vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›