Lamtumirë Dhimitër Anagnosti! Butka: Humbje e madhe, la gjurmë të thella në formimin e kineastëve dhe shoqërisë

Producenti Ilir Butka ka deklaruar nga studio e RTSH 24 se ndarja nga jeta e “Nderit të Kombit” Dhimitër Anagnosti është një humbje e thellë për artin dhe një moment “i mbylljes” së një prej kapitujve të rëndësishëm të kinomatografisë.
Butka, i cili ka punuar në disa projekte të përbashkëta me Anagnostin, ka shprehur vlerësimin e tij të thellë për kontributin e regjisorit në zhvillimin e artit kinematografik shqiptar, duke e cilësuar atë si një figurë të pandashme të historisë së filmit shqiptar. Butka theksoi ndikimin e jashtëzakonshëm që ka pasur puna e Anagnostit në zhvillimin e filmit shqiptar, duke e cilësuar atë një figurë të pashlyeshme dhe një artist të papërsëritshëm.
Për Butkën, largimi i Anagnostit është një humbje e madhe, jo vetëm për industrinë e filmit, por për gjithë kulturën shqiptare.
“Humbje e thellë. Vepra e tij ka lënë gjurmë të thella në memorien e një kombi të tërë dhe do jetë tregues i një niveli të lartë artistik.
Me të drejtë themi që është një nga elementët më pozitivë të kësaj kinematografie që ka lënë gjurme të thellë në formimin e kineastëve dhe shoqërisë në përgjithësi. Është moment i mbylljes së një kapitulli të rëndësishëm të kinostudios.
Ka lënë vlera artistike, gjurmë të qartë e një gjenerate që u përpoq të sillte në shoqërinë shqiptare një lloj këndvështrim totalisht të ri. Ishte revolucionare si art kinematografia dhe ishte edhe kontributi i tyre sepse thyen një lloj optimizmi dhe këndvështrimi modern në shoqërinë shqiptare”, deklaroi Butka.
Ky i fundit e cilësoi Anagnostin si një njeri të përkushtuar ndaj artit dhe një mentor për shumë breza regjisorësh dhe prodhuesish shqiptarë. Më tej, Butka sirolli në kujtesë momentin e parë të bashkëpunimit me Anagnostin.
“Ajo që e bëri tërësisht momentin e njohjes me të, ka qenë momenti kur bashkëpunuam për të e realizuar filmin “Gjoleka, djali i Abazit” dhe unë punova për të bërë montazhin e filmit. Unë shkoj për ta takuar grupin e punës dhe i bëj një propozim për të realizuar një backstage të filmit.
Ja propozuam Dhimitrit dhe duke qenë se ishte shumë i rezervuar kërkoi të shkruaja një skenar. I thash e kam të pamundur të parashikoj atë që do ndodh. Unë, i thash, do jem shumë i vëmendshëm do dokumentoj gjithë skenën e xhirimeve të filmit dhe do nxjerr një dokumentar. Nëse s’të pëlqen e hedhim fare. Po shkruaj diçka, më tha! Më demoralizoi dhe ika shumë i mërzitur. Më hoqi një shpresë. Do kishim sot, si ishte xhiruar filmi i tij i fundit. Pasi përfunduan xhirimet më kërkuan më thanë që donte të më takonte Dhimitri. Kur e takova i thash: më mban mend mua? Jo, më tha. Aty më kërkoi mundësinë për të realizuar unë montazhin”, kujtoi ai, teksa bëri me dije edhe një prej ambicieve që kishte Anagnosti teksa përfunduan xhirimet e “Gjoleka, djali i Abazit”.
“Ambicia ime ishte e adresuar drejt festivaleve. Por ai tha, unë nuk jam i interesuar për festivalet. Nga kjo shoqëri, tha, unë kam marrë financim dhe kur vepra artistike të shfaqet në RTSH unë e quaj misionin e mbyllur”, përfundoi ai.
/rtsh.al/