E Diel, 1 Nëntor 2026

“Lamtumirë Profesor i dashur!”, Rama reagon për ndarjen nga jeta të Servet Pëllumbit, ja mesazhi i tij

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për ndarjen nga jeta të ish-kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Servet Pëllumbi.

“Lamtumirë profesor i dashur”, shkruan Rama duke shpërndarë një foto të të ndjerit.

Jo pa qëllim, në lamtumirën drejtuar Pëllumbit, kryeministri Edi Rama ka përzgjedhur foton e gjakosur të 28 majit të vitit 1996, ku shfaqet Servet Pëllumbi së bashku me protestues të opozitës dhe një gazetar spanjoll. Fotoja bëri xhiron faqeve të agjencive botërore.

Balla reagon për ndarjen nga jeta të Servet Pëllumbit: Lamtumirë profesori ynë i madh

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar për ndarjen nga jeta të ish-kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Servet Pëllumbi.

“Lamtumirë profesori ynë i madh Servet Pëllumbi. Sa shumë do donim të të kishim në ditëlindjen e 35-të të Partisë sonë Socialiste, të cilës i dhe shumë nga vlerat e tua në kohë të vështira kur u desh ta drejtoje. Kuvendit të Shqipërisë i dhe gjithashtu vlerë me drejtimin tënd të pazëvendësueshëm. U prehsh në paqe profesor Serveti!”, shkruan Balla.

Balla shton se Kuvendi i Shqipërisë, Partia Socialiste dhe familja do të njoftojnë në vijim ceremonitë në nder të figurës së Servet Pëllumbit.

Ish-kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Servet Pëllumbi, u nda nga jeta në moshën 89-vjeçare. Ai ka qenë një nga figurat politike të rëndësishme në zhvillimet e viteve të demokracisë në Shqipëri.

Servet Pëllumbi lindi më 14 dhjetor të vitit 1936 në qytetin e Korçës dhe ka qenë figurë qendrore e politikës shqiptare, akademik dhe filozof, i cili shërbeu si kryetar i Kuvendit të Shqipërisë nga viti 2002 deri në vitin 2005.

Pëllumbi është vlerësuar si një nga personalitetet kryesore të Partisë Socialiste dhe shpesh cilësohej si “ideologu” i kësaj force politike, duke luajtur një rol kyç në transformimin e saj gjatë viteve ’90.

Përveç drejtimit të Parlamentit, ai ka shërbyer si deputet në disa legjislatura, duke përfaqësuar vendlindjen e tij, Korçën. Ai ishte profesor dhe doktor i shkencave filozofike.

Studimet i kreu në Universitetin e Shën Petërburgut dhe është autor i dhjetëra librave e studimeve mbi shkencat politike dhe filozofinë.

Servet Pëllumbi ka luajtur një rol kyç në jetën politike të vendit gjatë këtyre viteve. Ai është dekoruar nga presidenti Alfred Moisiu me urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

/rtsh.al

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›