Lara Colturi nis 2026-ën me vendin e tretë, lë pas Mikaela Shiffrin

TIRANË, 3 janar /ATSH/ Lara Colturi ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme vitin 2026 në Skitë Alpine.
Skiatorja 19-vjeçare shkëlqeu në zbritjen e parë të slalomit gjigant, në ndalesën e Kupës së Botës që po zhvillohet në Kranjska Gora, duke u renditur në vendin e tretë.
Colturi zhvilloi një garë shumë solide dhe e përshkoi pistën me kohën 1 minutë, 1 sekondë e 75 të mijtat, vetëm 37 të qintat më ngadalë se fituesja e zbritjes së parë, Camille Rast. Vendin e dytë e zuri amerikania Paula Moltzan.
Paraqitja e saj ishte edhe më domethënëse pasi la pas emra të mëdhenj të skive alpine botërore, si Mikaela Shiffrin, kryesuese e klasifikimit të përgjithshëm të Kupës së Botës për këtë sezon, si edhe Julia Scheib dhe Sara Hector.
Zbritja e dytë e slalomit gjigant do të zhvillohet në orën 13:00. Në formë të jashtëzakonshme, Lara Colturi synon të konfirmojë performancën e shkëlqyer dhe të regjistrojë një tjetër podium, pas atyre të arritura më herët këtë sezon në Levi, Gurgl, Copper Mountain dhe Semmering.
/gj.m/a.f/
