E Hënë, 2 Nëntor 2026

Largimi i Emirateve Arabe nga OPEC, analistët parashikojnë ulje të ndikimit të organizatës në tregje

OPEC përballet me një zhvillim të rëndësishëm pas vendimit të Emiratet e Bashkuara Arabe për t’u tërhequr nga organizata, një lëvizje e papritur që mund të riformësojë ekuilibrat në tregun global të energjisë.

Emiratet Arabe ishin pjesë e OPEC-ut që para krijimit si shtet në vitin 1971 dhe kanë qenë një nga prodhuesit kyç brenda kartelit. Organizata, e dominuar nga Arabia Saudite, ka kontrolluar për dekada çmimet e naftës duke menaxhuar prodhimin dhe kuotat mes vendeve anëtare, duke luajtur rol vendimtar në krizat energjetike të viteve 1970.

Megjithatë, kufizimet e vendosura nga OPEC kanë bërë që Emiratet të ndihen të penalizuara ekonomikisht. Aktualisht, prodhimi i tyre është kufizuar në rreth 3–3.5 milionë fuçi në ditë, ndërsa kapacitetet reale janë shumë më të larta. Si prodhuesi i dytë më i madh rezervë pas Arabisë Saudite, Emiratet Arabe synojnë të rrisin prodhimin deri në 5 milionë fuçi në ditë, duke shfrytëzuar investimet e mëdha në sektorin energjetik.

Dalja e Emirateve Arabe nga OPEC shihet si një fitore për presidentin Donald Trump, i cili më më parë e ka akuzuar organizatën për mashtrim të pjesës tjetër të botës duke rritur artificialisht çmimet e naftës e duke penguar prodhimin.

Javën e kaluar, Trump konfirmoi se Uashingtoni diskutuar zgjatjen e një linje shpëtimi financiar për Emiratet e Bashkuara Arabe, sipas së cilës bankat qendrore të të dy vendeve mund të bien dakord të shkëmbejnë shuma ekuivalente të monedhës së njëra-tjetrës nëse kriza në Lindjen e Mesme thellohet.

Vendimi vjen në një moment të tensionuar në rajon, me ndikimin e konfliktit në Iran dhe pasiguritë në Ngushticën e Hormuzit, një arterie kyçe për tregtinë globale të naftës. Situata ka shtuar presionin mbi marrëdhëniet rajonale, veçanërisht mes Emirateve dhe Arabisë Saudite.

Analistët paralajmërojnë se largimi i Emirateve mund të dobësojë më tej ndikimin e OPEC-ut, i cili sot kontrollon rreth 50% të tregut global të naftës, nga rreth 85% që kishte në vitet 1970. Një reagim i mundshëm nga Arabia Saudite mund të jetë nisja e një lufte çmimesh, që do të ndikonte veçanërisht vendet më të dobëta ekonomikisht brenda kartelit.

Nga ana tjetër, Emiratet po planifikojnë zgjerimin e infrastrukturës energjetike duke përfshirë ndërtimin e tubacioneve të reja  për të shmangur varësinë nga Ngushtica e Hormuzit dhe për të rritur eksportet.

Ndërkohë, zhvillimet globale, si rritja e elektrifikimit në Kinë, po ndikojnë në uljen graduale të kërkesës për naftë. Sipas vlerësimeve, përdorimi i automjeteve elektrike dhe transportit të elektrifikuar në Kinë ka reduktuar kërkesën me rreth 1 milion fuçi në ditë.

Ekspertët theksojnë se ky vendim reflekton një strategji më të gjerë: maksimizimin e të ardhurave nga nafta përpara se kërkesa globale të bjerë në dekadat e ardhshme, ndërsa ekonomitë kalojnë drejt burimeve alternative të energjisë.

Tërheqja e Emirateve nga OPEC mund të jetë fillimi i një efekti domino në rajon dhe një pikë kthese për tregun global të energjisë, me pasoja që mund të ndihen më fort në vitet në vijim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›