E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Largohuni urgjent nga Irani”, Italia apel të fortë shtetasve të saj, situatë kritike në Lindjen e Mesme

Situata në Lindjen e Mesme pritet të bëhet më kritike në orët në vijim, pasi Izraeli po përgatit kundërpërgjigjen ndaj Iranit, pas sulmit raketor të dy ditëve më parë.

Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, u ka bërë thirrje shtetasve italianë që jetojnë në Iran që të largohen menjëherë, para se të ndërpriten fluturimet nga linjat komerciale.

Autoritetet italiane bëjnë me dije se në Iran ndodhen 700 shtetas italianë, të cilëve ju është kërkuar me urgjencë që të largohen.

Italia është e angazhuar si në frontin diplomatik, ashtu edhe për sigurinë e italianëve, civilëve dhe ushtarëve në Liban.

“Ne nuk negociojmë me Hezbollahun. Unë fola me Ministrin e Jashtëm iranian në Nju Jork, duke mbajtur G7 të informuar para dhe pas dhe i kërkova Iranit të marrë pjesë me zell në një armëpushim. Ne kurrë nuk kemi folur me Nasrallah, nuk kemi pasur kontakte me Hezbollahun”, tha ministri i Jashtëm Antonio Tajani.

Duke iu përgjigjur pyetjeve në Senat, Tajani njoftoi se kishte organizuar një fluturim special çarter për të transferuar rreth 180 bashkatdhetarë në Itali.

“Në një situatë veçanërisht komplekse në terren, ne po punojmë për të inkurajuar një rritje të lidhjeve jashtë Bejrutit,” tha Tajani.

Ministri i Jashtëm shpjegoi se kishte kërkuar forcimin e kapaciteteve operacionale të misionit paqeruajtës Unifil.

Edhe shtete të tjera të BE ju kanë kërkuar qytetarëve të tyre që të largohen nga Irani. Apeli vjen në një moment ku kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka folur se Izraeli po përgatitet për një “luftë të ashpër kundër boshtit të së keqes”. Objektet bërthamore janë në pikëpyetje, por presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se nuk do të mbështeste një sulm izraelit të këtij lloji.

Ndërkohë nga ana tjetër edhe Hezbollahu ka deklaruar se do të vazhdojë të shkaktojë viktima në radhët e izraelitëve.

Në orët e fundit, ka pasur shpërthime të tjera në Bejrut, ndërsa Hezbollahu siguron se do të vazhdojë të shkaktojë viktima në trupat izraelite në terren.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›