Lehtësi për turistët dhe sfidë për bizneset, pajisjet POS bëhen të detyrueshme në turizëm, 31 Maji afati i fundit

Sipërmarrjet në fushën e turizmit do të kenë afat deri në fund të muajit për të zbatuar detyrimin ligjor për kryerjen e pagesave pa para në dorë përmes pajisjeve POS në pikat e shitjes.
Për Flori Ukën sipërmarrës, pagesat “cashless” janë një lehtësi e madhe për turistët dhe vizitorët e huaj.
“Nëse ne i ofrojmë pagesat me cash si formë pagese, kjo është sigurisht më stresuese për klientin, pasi duhet të bëjë vetë kursin e këmbimit dhe shpesh ka edhe dyshime nëse pagesa është kryer saktë apo plotësisht. Prandaj, pagesat me bankë janë një domosdoshmëri për të plotësuar ofertën turistike, të cilën ne tashmë e kemi mjaft të çmuar”, u shpreh Uka.
Zbatimi i kësaj nisme mbetet sfidë për bizneset e vogla.
“Strukturat akomoduese të konsoliduara e kanë tashmë të integruar në punën e tyre këtë praktikë, por sfida mbetet më e madhe tek bizneset e vogla, si bujtinat familjare, si edhe në zinxhirin e shërbimeve të tjera në nivel komuniteti”.
Nga ana tjetër komisionet për përdorimin e POS-eve mbeten një pengesë për tu adresuar.
“Është një komision shumë i lartë. Ky lloj komisionit për operatorët më të vegjël është ndoshta pengesa më kryesore”.
Formalizimin e turizmit, Flori Uka e sheh të lidhur ngushtë edhe me sektorë të tjerë të ekonomisë.
“Bujqësia është ende informale dhe kjo përbën një handikap shumë të madh për ekonominë shqiptare, sepse është e lidhur drejtpërdrejt me turizmin dhe me furnizimin me lëndë të parë cilësore. Në të njëjtën kohë, ajo i mban njerëzit në vend, duke mos i detyruar të emigrojnë”, theksoi Uka.
Nga ana tjetër Drejtoria e Tatimeve bën të ditur se me mbarimin e afatit, subjektet që nuk janë pajisur me sistemet e kërkuara do të përballen me masa administrative sipas legjislacionit në fuqi.
/rtsh.al/