E Enjte, 5 Nëntor 2026

“Lejet e mjedisit”, Kumbaro: Ekzekutim të menjëhershëm të kundërvajtjeve administrative prej 30%

TIRANË, 17 tetor/ATSH/ Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro prezantoi sot në Kuvend projektligjin “Për lejet e mjedisit” i ndryshuar, ku theksoi se “nëpërmjet këtij projektligji synohet të realizohet ekzekutimi i kundërvajtjeve administrative”.

“Ndryshimi i këtij ligji është iniciuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, si rezultat i procesit të Këshillimit Kombëtar sipas rezultateve të të cilit rezultoi se qytetarët vlerësojnë se duhen rritur sanksionet e kundërvajtjeve të kryera nga individë, apo subjekte private të kryera me apo pa lejen përkatëse të mjedisit”, tha Kumbaro.

Ministrja Kumbaro u shpreh se “këto ndryshime janë në vazhdën e një pakete ligjore, të cilat i kemi miratuar, ku është vlerësuar ndërmarrja e nismës për ashpërsimin e kundërvajtjeve administrative në masën 30% të vlerës së përcaktuar në legjislacionin në fuqi për lejet e mjedisit edhe në ligje të tjera që parashikojnë sanksione administrative kur bëhet fjalë për mbrojtjen e mjedisit”.

Ky projektligj konsiston në ndryshimin e natyrës juridike të sanksioneve kundrejt kundëravajtjeve të kryera në dëm të mjedisit.

Procesi i ekzekutimit të gjobave aktualisht vështirësohet për shkak të ankimimit administrativ dhe gjyqësor duke zgjatur shumë procesin dhe duke humbur qëllimin për të cilin vendoset gjoba.

Prandaj me këto ndryshime masat administrative kthehen në titull ekzekutiv.

Ministrja Kumbaro sqaroi se “nëpërmjet këtij projektligji synohet të realizohet ekzekutimi i kundërvajtjeve administrative gjithashtu duke i kthyer ato si titull ekzekutiv me përfundimin e procesit të ankimit administrativ dhe ekzekutimin e tyre nga zyra e Përmbarimit në përputhje me parashikimin e nenit 510 të Kodit të Procedurës Civile dhe ligjit 10279 të vitit 2010 për kundërvajtjet administrative”.

Ministrja Kumbaro vuri në dukje se janë propozuar edhe disa ndryshime të tjera në këtë projektligj, që sipas saj “synojnë zgjidhjen e problematikave të evidentuara gjatë zbatimit të ligjit në këto vite, dhe konkretisht, saktësimin e strukturës për llogari të së cilës do të kryhet pagesa e tarifës për aplikimet për lejet e mjedisit dhe pagesave të tarifave vjetore, organizimin me një procedurë të vetme të shfuqizimit të lejes mjedisore për të lehtësuar procedurat”.

“Pra, do të ketë rishikim të sanksioneve në rast të mosrespektimit të detyrimeve në lidhje me rishikimin apo ndryshimin e kushteve të lejes së mjedisit, parashikimin e detyrimit të afatit dhe dokumenteve për përshtatjen e lejeve të mjedisit konform legjislacionit në fuqi për të gjithë operatorët, të cilët për instalimet ekzistuese nuk kanë kryer rishikimin apo ndryshimin e kushteve të lejeve mjedisore”, tha Kumbaro.

/k.s/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›