E Diel, 1 Nëntor 2026

Leku fiton terren ndaj valutave kryesore

TIRANË, 24 janar /ATSH/ Leku fitoi terren ndaj monedhave kryesore të huaja gjatë javës 19–23 janar në tregun e brendshëm të këmbimit valutor.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, dollari amerikan u këmbye në fundjavë me 82,17 lekë, nga 83,01 lekë në fillim të javës, duke shënuar një rënie prej 0,84 lekësh.

Edhe euro shënoi një rënie të lehtë ndaj lekut. Monedha evropiane u kuotua këtë fundjavë me 96,43 lekë, nga 96,51 lekë ditën e hënë, ose 0,08 lekë më pak.

Në raport me lekun u dobësuan gjithashtu paundi britanik dhe franga zvicerane.

Paundi britanik u këmbye nga 111,27 lekë në fillim të javës, në 111,21 lekë në fundjavë, ndërsa franga zvicerane u zhvlerësua lehtë me 0,01 lekë, duke u kuotuar në 103,92 lekë.

Banka e Shqipërisë vijon të zbatojë një regjim të lirë të kursit të këmbimit, ku ecuria e tregut valutor përcaktohet nga raporti i kërkesës dhe ofertës. Sipas institucionit, luhatjet e regjistruara reflektojnë zhvillimet pozitive në ekonominë shqiptare, si edhe ndikimet nga tregjet ndërkombëtare financiare.

e.xh/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›