Lezha nis në qershor modelin e ri për pastrimin urban, Bashkia merr në dorë menaxhimin dhe ndarjen e mbetjeve

Duke nisur nga muaji qershor i këtij viti, menaxhimi i mbetjeve në Bashkinë e Lezhës do të kryhet nga vetë bashkia përmes Ndërmarrjes Publike të krijuar posaçërisht për shërbimin e pastrimit.
Strategjia e re parashikon hedhjen e mbetjeve sipas orareve të përcaktuara si në zonën urbane ashtu dhe në zonat rurale.
Po ashtu, do të ketë ditë të veçanta për grumbullimin e mbetjeve të riciklueshme, mbetjeve të gjelbra, mbetjeve elektronike, si dhe mobilieve.
Strategjia u prezantua nga kryetari i bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu gjatë një takimi informues me të gjithë aktorët e përfshirë në proces.
“Bashkia Lezhë merr komplet shërbimin e menaxhimit të mbetjeve në territorin e bashkisë Lezhë. Kompanitë private nuk do jenë më të kontaktuara nga ne.
Kemi konstatuar, fatkeqësisht, se marrëdhënia jonë me ta ka qenë shumë e vështirë. Pastrimi i territorit nuk ka qenë në cilësinë e duhur. Ky është standard jetese që ne duhet ta kapim tani. Lezha është e para që kalon në avangardë në histori të re të mënyrës së trajtimit të mbetjes dhe sjelljes me pastërtinë dhe higjienën në territor.
Është e para tipologji që do instalohet në Lezhë. Nuk ka Shqipëria si ajo, me të gjithë profilet e mbetjeve ku secila lloj mbetje do ketë sesion të ndarë”, deklaroi Ndreu.
Në këtë mënyrë të re të pastrimit dhe menaxhimit të mbetjeve, bashkia Lezhë synon të renditet ndër njësitë e para vendore në Shqipëri që zbaton standarde evropiane duke i dhënë fund ndotjes, e cila pavarësisht përpjekjeve të deritanishme nuk ka qenë në nivelin e kërkuar.
/RTSH/