Lezhë, mbyten dy të rinj në zonën e Ranës së Hedhun

TIRANË, 3 qershor /ATSH/ Dy të rinj u mbytën sot si pasojë e dallgëve dhe erës së fortë në zonën e njohur si Rana e Hedhun në Shëngjin.
Policia njoftoi se “rreth orës 16:30, shërbimet e Policisë kanë marrë njoftim se në zonën e Ranës së Hedhun, në Shëngjin, disa shtetas që ishin futur në det për t’u larë, si pasojë e dallgëve të shkaktuara nga era e fortë, ndodheshin në vështirësi dhe rrezikonin të mbyteshin”.
Sipas policisë, menjëherë pas marrjes së njoftimit, në adresën e dhënë kanë shkuar shërbimet e Policisë Kufitare, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, si dhe ato të emergjencës.
“Falë reagimit të menjëhershëm të qytetarëve me Jet Ski, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë, u bë e mundur nxjerrja nga deti e 5 shtetasve nga Kosova, të cilët u transportuan me urgjencë në Spitalin Rajonal Lezhë për marrjen e ndihmës mjekësore”, njoftoi policia.
Policia bëri me dije se sipas informacionit paraprak nga Urgjenca e Spitalit Rajonal Lezhë, 2 prej shtetasve kanë humbur jetën, ndërsa 3 shtetasit e tjerë po marrin ndihmë mjekësore.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
/m.q/r.e/