Lezhë, qendër e re për riciklimin e mbetjeve, bashkia synon të reduktojë mbetjet në landfill dhe të modernizojë shërbimin

Në Lezhë po vijon reformimi i sistemit të pastrimit përmes investimeve që synojnë uljen e ndotjes dhe rritjen e riciklimit. Bashkia ka nisur ndërtimin e një qendre riciklimi me mbështetjen e GIZ, si pjesë e një mënyre të re organizimi të mbetjeve urbane për qytetarët dhe bizneset. Sipas kryebashkiakut, Pjerin Ndreu, ky projekt do të ulë sasinë e mbetjeve që shkojnë në landfill dhe do ta bëjë sistemin më efikas dhe më pak të kushtueshëm për komunitetin.
“Ne i kemi paraprirë kësaj serie për të ndërtuar gjithë bazën ligjore, gjithë skemën, mënyrën e të vepruarit ku kemi futur praktikën e nxjerrjes me qese. Nga momenti që ne fillojmë edhe qendrën multifunksionale të riciklimit të mbetjeve”, u shpreh Ndreu.
Përfaqësuesit e GIZ e vlerësuan Lezhën si bashkinë e parë në vend që po zbaton këtë model menaxhimi, duke theksuar se standardet e përdorura janë në përputhje me politikat evropiane për ekonominë qarkulluese dhe mbrojtjen e mjedisit.
“Ndoshta është ndryshimi më pranë ligjit në fuqinë e Shqipërisë se çdo qytet tjetër i Shqipërisë, e cila do jetë detyrim ligjor. Pra, të ndash mbetjet si një evropian do jetë bashkë me atë që dëgjojmë çdo ditë me anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, tha Eduart Cani, Konsulent i GIZ.
Që prej qershorit, shërbimi i pastrimit administrohet nga Bashkia e Lezhës, me orare të reja për nxjerrjen e mbetjeve dhe ndryshime në sistemin e grumbullimit. Ndërkohë, qendra e re e riciklimit synon të ulë depozitimin në landfill dhe ta afrojë menaxhimin e mbetjeve me standardet e Bashkimit Evropian.
/rtsh.al/