Licensimi i mësuesve, Kumbaro: Përcaktim ligjor që nga viti 2011, aplikimet deri më 14 prill

TIRANË, 9 prill /ATSH/ Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro ka sqaruar sot publikisht përmes një videomesazhi paqartësitë e ngritura nga mësues dhe kandidatë për mësues lidhur me detyrimin për pajisjen me licensën e ushtrimit të profesionit.
Në një komunikim drejtuar mësuesve, ajo theksoi se ky proces nuk është një kërkesë e re apo vendimmarrje individuale, por buron nga kuadri ligjor në fuqi për profesionet e rregulluara dhe arsimin parauniversitar.
Kumbaro nënvizoi rëndësinë e përmbushjes së këtij detyrimi ligjor si një hap i domosdoshëm për zhvillimin profesional dhe avancimin në karrierë, ndërsa informoi gjithashtu për hapjen e aplikimeve për provimin e shtetit për mësuesit deri në datë 14 prill.
“Disa prej jush më kanë drejtuar edhe mesazhe personale, për faktin se mospasja e licencës së ushtrimit të profesionit të mësuesit ka qenë një ndër pengesat që nuk ju ka lejuar të avanconi në zhvillimin e karrierës. Nuk është një kërkesë e re, prandaj dua të sqaroj aspektin ligjor të kësaj kërkese, e cila nuk vjen as nga vullneti i njërit apo tjetrit drejtues”, tha ajo.
“Në vitin 2011 ka hyrë në fuqi ligji për profesionet e rregulluara, ligj i cili përcakton se profesionet e rregulluara, përfshirë edhe atë të mësuesit, kërkojnë që çdo kandidat të kryejë praktikën profesionale, të kalojë provimin e shtetit, pra të marrë licensën, dhe më pas të regjistrohet në fazat e tjera.
Duke iu referuar edhe ligjit “Për arsimin parauniversitar”, i miratuar në vitin 2012, thuhet shumë qartë se profesioni i mësuesit e bën të detyrueshëm dhënien e provimit të shtetit. Ky përcaktim është saktësuar më tej me ndryshimet e vitit 2018, ku thuhet: “Mësuesi i arsimit fillor, i arsimit të mesëm të ulët, i arsimit të mesëm të lartë, mësuesit e shkollave të arsimit të orientuar, mësuesit e kulturës së përgjithshme në shkollat profesionale, mësuesi që punon me nxënësit me aftësi të kufizuara dhe mësuesit me diplomë të ngjashme ose të përafërt në fushat e mësimdhënies në arsimin parauniversitar, ushtron profesionin e tij pasi të ketë kryer me sukses praktikën profesionale dhe të ketë kaluar me sukses provimin e shtetit në fushën e formimit të tij”, vijoi Kumbaro.
Kumbaro tha se të vetmit që përjashtohen nga ky detyrim janë mësuesit që janë punësuar para vitit 2011.
Ministrja Kumbaro tha se ka filluar java e aplikimeve në portalin pranë QSHA për t’u regjistruar në dhënien e provimit të shtetit për marrjen e licensës së mësuesit. Aplikimet janë hapur në datën 7 prill dhe do të jenë të hapura deri në datën 14 prill.
“Të dashur mësues apo kandidatë për t’u bërë mësues, aplikoni për t’u regjistruar në portal për këtë provim të dedikuar. Kam pasur mesazhe edhe nga mësues që janë të përjashtuar nga detyrimi për ta marrë licensën, pasi janë punësuar para vitit 2011, dhe megjithatë ata po regjistrohen për ta marrë atë si një dokument garancie, si një sfidë personale”, theksoi Kumbaro.
/e.i/a.f/r.e/