Liderët e BE mblidhen në Spanjë; në fokus situata në Kosovë dhe lufta në Ukrainë

Rreth 50 liderë te vendeve nga e gjithë Europa kanë mbërritur në Spanjë për forumin e Komunitetit Politik Europian i cili do të mbahet sot dhe nesër në Granada.
Mbledhja synon të nxisë bashkëpunimin në të gjithë kontinentin.
Në krye të temave të diskutimeve do të jenë ato më të nxehtat si, çështja e Kosovës dhe Serbisë, lufta Rusi-Ukrainë si dhe kriza mes Azerbajxhanit dhe Armenisë.
Udheheqesit europianë po bëjnë përpjekje për një takim me dyer të mbyllura mes krerëve të Kosovës dhe Serbisë.
Presidentja Vjosa Osmani dhe presidenti Aleksandër Vucic kanë mbërritur tashmë në Granada por mbetet për tu parë nëse përpjekjet për takim mes tyre do të jenë të suksesshme.
Vucic pritet të mbajë pjesën më të madhe të presionit pas ngjarjeve në veri të Kosovës.
Komuniteti ndërkombëtar i ka quajtur sulmet e serbëve ndaj policisë së Kosovës si terroriste ndërsa dyshohet dhe po hetohet për përfshirje të Beogradit zyrtar në këto akte.
Disa shtete, përfshirë Kosovën, Shqipërinë dhe Kroacinë kanë kërkuar sanksionim të Serbisë edhe për reagimin e saj pas ngjarjes së 24 shtatorit.
Zgjerimi i Unionit do të jetë gjithashtu një nga diskutimet në takim. Liderët e Ballkanit Perëndimorë mes tyre edhe kryeministri Rama, do të kenë mundësinë për të paraqitur vendet përkatëse si partner të vlefshëm për Unionin .