Ligji për zonat e mbrojtura, Berisha: I heq shtetit përgjegjësinë e mbrojtjes dhe ia dorëzon privatit

TIRANË, 10 qershor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se “PD ka qenë kundërshtarja më e vendosur e të gjitha ligjeve antimjedis, antitrashëgimi kulturore të miratuara nga Edi Rama”.
Në mbledhjen e grupit parlamentar, Berisha tha se “PD kur erdhi në pushtet në 2005-ën gjeti 3 deri në 4% zonat e mbrojtura dhe e rriti sipërfaqen e tyre në 17-18%. Gjithashtu PD vendosi kuadrin ligjor më të fortë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore si dhe gjatë periudhës në pushtet miratoi ligjet më të mira”.
Duke u ndalur tek dhënia me koncesion e Butrintit, Berisha tha se “Butrinti në periudhën e qeverisjes sonë ishte një zonë 9200 hektarë. Absolutisht asnjë ndërtim i ri në atë periudhë nuk është lejuar. Ligji special për Butrintin ishte goditja më e rëndë e një parku, se ne e kemi të lehtë të flasim, të bëjmë krahasime. Nuk po them se është më i bukuri në botë, por unë besoj se nuk mund të ketë një park të dytë si ai, për ata që e njohin”.
Dhe tani për ta grabitur Butrintin, shtoi Berisha, duhet të ndajë njëherë pjesën e qytetit arkeologjik nga pjesa e natyrës.
“Të dyja kishin të njëjtën madhështi. Të njëjtën pasuri për ne dhe për ata që vijnë pas. Do ndaheshin këto që të ndërtohej Gjiri i Manastirit. Të kapej Gjiri i Manastirit nga qeveria. Por më e keqja është se ligji i hiqte shtetit përgjegjësinë për mbrojtjen e pasurisë dhe ia dorëzonte privatit në një rast unik në botë. As në Shtetet e Bashkuara dhe në asnjë vend tjetër kjo nuk ekziston”, tha Berisha.
/k.s/r.e/a.f/