Limaj synon të bëhet kryeparlamentar, pritet takimi mes kreut të Nismës dhe Albin Kurtit

Deputetët e zgjedhur të Kosovës dështuan edhe këtë të enjte në seancën e 48 të zyrtarizojnë kuvendin.
Dështimi i fundit vjen rreth një javë para skadimit të afatit vendosur nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin, ndërsa një marrëveshje mes kryetarit të Vetëvendosjes Albin Kurti dhe kryetarit të Nismës Fatmir Limaj pritet t’i japë zgjidhje ngërçit.
Një takim mes të dyve pritet të ndodh deri në fundjavë.
“Më në fund dikush po del mbi egot personale dhe egot partiake. E ky duket që do të jetë zotëri Limaj, sepse nga fillimi e ka ndryshuar diskursin në këtë vend, sikur të gjithë të kishim menduar nga fillimi që t’i tejkalojmë inatet dhe egot personale. Jemi pra në atë diagonale të bisedimeve me çështjen që zotëri Limaj të jetë në krye të kuvendit dhe të presim në fundjavë që të kemi një epilog pozitiv të këtyre bisedimeve”, tha deputetja e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku.
Limaj i cili doli nga zgjedhjet me tre deputetë, e ka kërkuar postin e kryetarit të kuvendit që prej fillimit por një gjë e tillë nuk ishte pranuar nga Kurti i cili argumentonte se posti në fjalë duhet të kishte mbështetje më të madhe qytetare. Megjithatë, në kushtet e asnjë rrugëdaljeje tjetër, propozimi i Limajt mbetet një opsion për t’i dhënë zgjidhje situatës më shumë se katër muaj pas zgjedhjeve. Afati i fundit i vendosur nga Kushtetuesja është 26 korriku./vizionplus.tv