“Liria ka Emër” merr leje zyrtare për marshim në 17 shkurt

PRISHTINË, 26 janar /ATSh/ Platforma qytetare “Liria ka Emër” njofton opinionin publik se ka siguruar lejen zyrtare nga komuna e Prishtinës për shfrytëzimin e hapësirës publike, me qëllim të organizimit të marshit qytetar me moton “Drejtësi, jo politikë!”.
Marshi do të mbahet më 17 shkurt, duke filluar nga ora 14:00, në hapësirën publike të miratuar nga autoritetet komunale, në përputhje të plotë me kërkesën e paraqitur nga organizatorët dhe me legjislacionin në fuqi.
Sipas dokumentit zyrtar të lëshuar nga Komuna, leja është dhënë për përdorimin e hapësirës publike në orarin e kërkuar, duke garantuar kështu mbarëvajtjen e aktivitetit qytetar në mënyrë paqësore dhe të rregullt.
Platforma “Liria ka Emër”, nëpërmjet një njoftimi u bën thirrje qytetarëve të Prishtinës dhe mbarë Kosovës që t’i bashkohen këtij marshimi paqësor, si shprehje e kërkesës për drejtësi të paanshme për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po mbahen në paraburgim në Hagë prej më shumë se pesë vitesh.
Ky marsh është një thirrje qytetare për respektimin e parimeve të drejtësisë, dinjitetit njerëzor dhe për ndarjen e qartë të drejtësisë nga politika.
/KosovaPress//r.e/