“Liria ka emër”, ish-Presidenti Moisiu: Koha të mos heshtim, liria e Kosovës nuk është dhuratë, u mor me gjak

Ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu ishte i pranishëm pasditen e kësaj të premteje në sheshin “Skënderbej” në mbështetje të protestës për ish-krerët e UÇK të cilët po gjykohen në Hagë.
Në fjalën e tij ish-Presidenti Moisiu tha se ish-krerët e UÇK Kadri Veseli, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi nuk kanë kryer krime, ata janë heronj.
Ai ka kërkaur nga Gjykata e Hagës të ngrihet në lartësinë e detyrës dhe të mos gjykojë mbi akuza të rreme të fabrikuara nga qarqet serbo-ruse.
Fjala e Presidentit Moisiu:
Sot jemi mbledhur për të mbrojtur dinjitetin kombëtar. Jemi këtu për të ngritur zërin kundër padrejtësisë që po u bëhet bijve të Kosovës dhe Kombit shqiptar, luftëtarëve të Kosovës që luftuan për lirinë e atdheut.
Në vitin 2022, së bashku me presidentët Rexhep Meidani, Bamir Topi, Behgjet Pacolli dhe ish-kryeministrin Majo, kishim në Hagë për t’u takuar me Hashim Thaçin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin dhe Kadri Veseli. Në bisedë me ta, kuptova se ata nuk ishin të frikësuar, por të fortë dhe të gatshëm për të luftuar për të pastruar luftën e UÇK-së.
Ata nuk kanë kryer krime, por kanë bërë detyrën më të lartë që njeh historia bashkëkohore: çlirimin e Kosovës dhe mbrojtjen e popullit të vet. Unë besoj se drejtësia do të bëjë detyrën e saj dhe do të jetë në krahun e katër vëllezërve të UÇK-së.
Ata janë arrestuar pa prova, por me akuza të fabrikuara nga qarqet serbo-ruse që përpiqen të njollosin luftën. Dua të theksoj një fakt të rëndësishëm: se lufta e UÇK-së u mbështet nga NATO, SHBA dhe partnerët perëndimorë. Në këtë kuadër, zyrtarët amerikanë që po dëshmojnë në gjykatë, po sjellin prova që vërtetojnë pafajësinë e udhëheqësve të UÇK-së.
Këto janë dëshmi se ata nuk ishin kriminelë, por komandantë dhe udhëheqës të trojeve të tyre. Dëshiroj t’ju them se shqiptarët historikisht njihen si luftëtarë, por tre raste janë kur shqiptarët luftuan për vete: në kohën e Skënderbeut, në Luftën II Botërore dhe UÇK-ja.
Është koha të mos heshtim, por të mbrojmë veten tonë dhe njerëzit tanë. Nuk pranojmë dyfytyrësi as lejojmë të nëpërkëmbet gjaku i shqiptarëve. Liria e Kosovës nuk është dhuratë, është fituar me gjak dhe vendosmëri. Ne duhet të jemi të vendosur dhe të bashkuar për të ardhmen e kombit tonë.
I bëj thirrje drejtësisë të tregojë veten.
Lavdi dëshmorëve të UÇK-së!
Liri drejtuesve të UÇK-së!
Zoti e bekoftë Kosovën!
Zoti e bekoftë Shqipërinë!
Kjo protestë është e treta me radhë pas atyre të mbajtura në Prishtinë dhe Hagë, ku më 14 shtator u mblodhën rreth 10 mijë shqiptarë në afërsi të Gjykatës Speciale. Në Hagë, që prej 3 prillit 2023, po zhvillohet procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët i kanë mohuar të gjitha akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.