Lirimi i hapësirave publike, Beci: Shkodra ka nisur të marrë frymë lirisht

TIRANË, 26 korrik/ATSH/ Shkodra ka nisur të marrë frymë lirisht pas lirimit të hapësirave publike.
Kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci ndau sot pamje nga qyteti, ndërsa theksoi se bizneset e kanë kuptuar rëndësinë e këtij aksioni.
“Ky është rezultati i 5 ditëve punë nga strukturat e Bashkisë Shkodër dhe bashkëpunimit me bizneset, të cilat kanë kuptuar rëndësinë e këtij aksioni që do të vijojë”, shtoi Beci.
Gjatë gjithë muajit korrik lirimi i hapësirave publike do të jetë në fokus të angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror.
Lirimi i hapësirave në qytete dhe plazhet publike në të gjithë vendin, si edhe i hapësirave të përbashkëta mes pallateve, pritet të sjellë më shumë hapësira në shërbim të qytetarëve, si edhe një bashkëjetesë brenda standardeve për të gjithë.
Ky aksion konsiderohet si një hap i domosdoshëm për rritjen e shërbimit, funksionalitetit të çdo biznesi dhe sipërmarrjeje në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes dhe shërbimit jo vetëm në zonat turistike, por në çdo cep të Shqipërisë.
/m.m/r.e/