Lirimi i hapësirave publike, Rama: Nuk është aksion, por faza e parë e një transformimi të ri urban

Kryeministri Edi Rama ka reaguar mbi procesin e lirimit të hapësirave publike, ku shprehet se ky nuk do të jetë vetëm një aksion i përkohshëm, por një fazë e riorganizimit urban e shërbimeve në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit.
Rama thekson se ky transformim i ri synon t’i bëjë qytetet më funksionale ndaj komunitetit, më të pastra dhe më të gjelbra. Sipas tij, objektivi është që hapësirat urbane të ofrojnë jo vetëm estetikë dhe mjedis të shëndetshëm, por edhe njësi shërbimi që bashkëpunojnë më ngushtë me jetën e qytetarëve.
“Nuk është aksion, po faza e parë e një transformimi të ri, për Tiranën e për të tjera qytete më të pastër, më të gjelbër, po edhe me njësi shërbimi më bashkëpunuese e më miqësore me komunitetin”, shkruan Rama.
Aksioni për lirimin e hapësirave publike ka nisur në të gjithë vendin, ku sipas Ramës, “Rilindja Urbane 2.0” nuk do të tolerojë asnjë individ apo subjekt që cenon cilësinë e jetës së qytetarëve, duke zaptuar hapësira publike.
Në shërbim të kësaj, qytetarët janë ftuar që vullnetarisht të lirojnë hapësirat publike, dhe në rastet kur nuk veprojnë vullnetarisht, atëherë kanë ndërhyrë strukturat shtetërore.
/rtsh.al/