E Hënë, 2 Nëntor 2026

Lirimi i hapësirave publike në Pogradec, 60 objekte të konstatuara pa leje të rregullt

Në Pogradec ka nisur një aksion për lirimin e hapësirave publike, i cili po zhvillohet me intensitet të shtuar, duke filluar nga lagjia nr. 5.

Qëllimi i këtij operacioni është të lirohen hapësirat e zëna padrejtësisht nga individë apo subjekte private, për t’u rikthyer në shfrytëzim të përbashkët nga qytetarët.

Aktualisht janë evidentuar mbi 60 objekte pa leje në dy lagje të qytetit, ndërsa po kryhet identifikimi edhe i objekteve të tjera që zënë hapësira publike.

“Sipas planit të kryeministrit, kemi marrë një aksion në të gjithë qytetin. Konkretisht kemi qenë në zonën Kala, tani jemi në rrugën e spitalit. Kemi prishur rreth 20 objekte në kala dhe janë rreth 30 të tjera që i janë bërë njoftimet përkatëse sipas ligjit. I kemi bërë njoftimet, që brenda 5 ditëve duhet t’i lironi vetë, nuk i kanë liruar, ndaj jemi detyruar të veprojmë me mjetet tona”, tha Markel Hafesllari, drejtor i Agjencisë për Mbrojtjen e Territorit në Bashkinë e Pogradecit.

Hafesllari theksoi se gjatë prishjes së objekteve nuk është konstatuar rezistencë. Në disa raste, vetë poseduesit e ndërtimeve kanë nisur çmontimin e platformave.

“Aksioni do të jetë në të gjithë qytetin, ju lutem kujt i ka shkuar njoftimi të bëjnë çmontimin e hapësirave vetë, që të mos ndërhyjmë ne”, bëri apel ai.

Autoritetet vendore njoftuan se ndërhyrja do të vijojë në të gjitha lagjet e qytetit, me synimin për të krijuar një mjedis më të pastër, të rregullt dhe më të aksesueshëm për të gjithë banorët. Disa nga objektet e paligjshme janë raportuar edhe në platformën qeveritare “Hapësira Ime”.

Gazetare: Elsa Xhindole

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›