Lirimi i hapësirave publike në Shkëmbin e Kavajës, Kumbaro: Garanton akses për pushuesit

TIRANË, 20 korrik/ATSH/ Aksioni për lirimin e hapësirave publike po vijon me intensitet edhe përgjatë gjithë vijës bregdetare të vendit.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, bëri të ditur sot se një nga zonat ku po zhvillohet ky aksion është edhe Shkëmbi i Kavajës, një ndër destinacionet më të frekuentuara në bregdetin e Adriatikut.
“Lirimi i hapësirave publike garanton akses të barabartë për të gjithë pushuesit dhe përmirëson cilësinë e shërbimit”, u shpreh Kumbaro.
Ky proces është pjesë e një politike kombëtare për të siguruar plazhe të pastra, të organizuara dhe të hapura për të gjithë, duke shmangur zënien e padrejtë të hapësirës publike nga subjektet private.
Kontrollet dhe ndërhyrjet në terren po kryhen në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, IKMT dhe strukturat vendore.
/r.e/