Lirohet personi i shoqëruar për atentatin me 2 viktima në Rinas: S’kam lidhje me ngjarjen!

Policia ka liruar personin me iniciale B. Xh., i shoqëruar mbrëmjen e së martës në lidhje me atentatin e ndodhur në Rinas, pasi ai u mor në pyetje për disa orë.
Policia ka liruar personin me iniciale B. Xh., i shoqëruar mbrëmjen e së martës në lidhje me atentatin e ndodhur në Rinas, pasi ai u mor në pyetje për disa orë. Sipas burimeve, bëhet fjalë për një 35-vjeçar nga fshati Halil, banesa e të cilit ndodhet shumë pranë vendit ku autorët dogjën automjetin “Toyota”.
I riu ka deklaruar se në momentin e ngjarjes nuk ndodhej në shtëpi dhe ka mohuar çdo lidhje me atentatin, duke shtuar se nuk ka parë as lëvizje të dyshimta pranë zonës. Shoqërimi i tij u krye për shkak se më herët rezulton i dënuar për vjedhje me dhunë.
Një muaj pas atentatit, policia vijon me marrjen në pyetje të personave që mund të kenë dijeni, por ende nuk ka as autorë dhe as porositës të identifikuar. Në sulmin e së 11 nëntorit, i kryer në mesditë, mbeti i vrarë Gilmando Dani, ndërsa miku i tij, Muçi Shaljani, ndërroi jetë disa ditë më vonë në spital. Të dy sapo kishin mbërritur nga Barcelona, kur atentatorët i zunë pritë në rrethrrotullimin e Rinasit.