E Diel, 1 Nëntor 2026

Lista Serbe nuk certifikohet nga anëtarët e KQZ-së

PRISHTINË, 2 dhjetor /ATSH/ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur mbledhjen e dytë për ditën e sotme për zgjedhjet e parakohshme të Kuvendit të Kosovës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë certifikimin e subjekteve politike për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Besnik Buzhala, Drejtor i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike ka bërë të ditur që 24 subjekte politike kanë aplikuar për certifikim në zgjedhjet e parakohshme.

“Zgjedhjet janë caktuar të mbahen me 28 dhjetor 2025. Pas pranimit të dekretit lëshuar Presidentja e Kosovës, KQZ ka miratuar planin e aktiviteteve kohore për organizimin dhe administrimin e procesit zgjedhor. Nga data 24 nëntor 2025 deri me datën 30 nëntor 2025, gjithsej 24 subjekte politike kanë aplikuar për certifikim që përfshin; 11 subjekte politike të përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës, 7 parti politike të regjistruara, 3 koalicione, 2 iniciativa qytetare dhe 1 kandidat i pavarur.

Sa i përket subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës këto subjekte politike nuk obligohen të paguajnë taksën e certifikimit dhe të dorëzojnë listën me nënshkrimet e mbështetësve, gjithashtu gjatë verifikimeve konstatohet se subjektet politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës nuk kanë gjoba të papaguara të shqiptuara nga PZAP, KQZ dhe Zyra”, u shpreh ai.

“Po ashtu për partitë politike të regjistruara përveç AAK e cila nuk obligohet të dorëzojë listën e mbështetësve dhe të paguajë taksën e certifikimit, sepse sipas paragrafit 4 nenit 19 partia politike që është anëtare e koalicionit për të cilin ka garuar ruan dhe trashëgon të drejtat e fituara para themelimit të koalicionit. Ndërsa 5 parti politike të tjera kanë paguar taksën e certifikimit dhe kanë dorëzuar listën e mbështetësve. Gjithashtu konstatohet që partitë politike të regjistruara nuk kanë gjoba të papaguara të shqiptuara nga PZAP, KQZ – Zyra.

Partitë politike të regjistruara janë 7, përveç Nismës që nuk është pjesë e rekomandimit për shkak se zyra ka dhënë komente në listën e mbështetësve që është e pakompletuara dhe e njëjta i është dhënë afat nesër deri në ora 12:00 që ta plotësojë listën e mbështetësve. Sa i përket koalicioneve janë gjithsej 3 koalicione. Këto koalicione i përfshijnë gjithsej 10 parti politike të regjistruara”, tha Buzhala.

Anëtari i KQZ-së, Sami Kurteshi tha se është kundër certifikimit të Listës Serbe nga KQZ.

“Jam kundër rekomandimit të certifikimit të subjektit politik, Lista Serbe”, tha Kurteshi.

KQZ votoi certifikimin ndaras për partitë politike, ku Lista Serbe me 1 votë pro, 2 kundër dhe 8 abstenime nuk u certifikua.

Të gjitha partitë e tjera, koalicionet dhe iniciativat qytetare morën përkrahjen e anëtarëve të KQZ-së për certifikim në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

/KosovaPress//r.e/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›