Lufta godet tregun, transporti rrit tarifat deri në 10%

Pas rritjes së çmimit të naftës në bursat e huaja, menjëherë pas nisjes së konfliktit në Lindjen e Mesme, të parët që kanë reaguar në vend nga ndryshimet e kostos janë kompanitë e transportit të mallrave tregtarë në rrugë tokësore dhe detare.
Nga sot kompanitë e transportit të mallrave raportojnë se kanë nisur të aplikojnë tarifa nga 6 deri 10% më të larta se para nisjes së sulmeve. Drejtuesit e kompanive të transportit pohojnë se prej fundjavës janë furnizuar me naftë me çmim deri 10% më të lartë.
Kompanitë e transportit të mallrave në rrugë tokësore pohuan që kanë rritur tarifat nga 6 deri 7% më shumë, për shkak të shtrenjtimit të çmimit të naftës deri 25 lekë.
Sipas të dhënave të marra nga operatorët, p.sh. tarifa për eksport mallrash nga Durrësi për Milano në rrugë tokësore varion nga 1500 euro në 1700 euro dhe importi nga Milano në Durrës 2500 euro. Pas rritjes së çmimeve tarifat për eksport mallrash variojnë nga 1600 deri 1800 euro për kamion dhe për import deri 2,700 euro.
Prej fundjavës edhe çmimet e transportit detar janë rritur 10% për shkak të rritjes së çmimit të naftës në bursat e huaja.
Por gjithashtu këto ditë pritet të reflektohet edhe në tregun e shitjes me pakicë në vend çmimi i rritjes së naftës në bursat e huaja.
Nga Shoqata e Hidrokarbureve u tha pas nisjes së sulmeve furnizimet me naftë u bënë me çmim 900 USD për ton nga 740 USD për ton që ishte çmimi i furnizimeve me shumicë.
Aktualisht, në pikat e karburanteve, çmimi i shitjes së naftës është 170-175 lekë për litër dhe pritet të arrijë 185–190 lekë për litër.
Ndërsa në bursat e huaja ditën e djeshme (3 Mars) çmimi i naftës arriti 84 -85 USD për fuçi nga 75 USD për fuçi që arriti çmimi maksimal ditën e hënë.