E Martë, 3 Nëntor 2026

Lufta ndaj ekstremizmit, Balla: Ngritëm 12 komitete rajonale, Shqipëria ka praktikën më të mirë në rajon

Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka vlerësuar bashkëpunimin ndërinstitucional dhe me shoqërinë civile lidhur me luftën ndaj radikalizmit dhe ekstremizmit në vend si dhe rehabilitimin dhe ri-integrimin e këtyre personave që riatdhesohen nga zonat e konfliktit.

Gjatë prezantimit të mekanizmit kombëtar të referimit kundër ekstremizmit, Balla tha se Shqipëria ka praktikat më të mira në rajon për luftën ndaj ekstremizmit dhe rehabilitimin e viktimave, ndërsa shtoi se të gjitha institucionet po punojnë për krijimin e një strategjie edhe më të fortë kundër radikalizmit.

“Të krijojmë strategji konkrete për parandalimin e radikalizmit dhe luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe është detyra jonë të bëhet gjithçka për rehabilitimin e të riatdhesuarve nga zonat e konfliktit. Kthimi I parë I shtetasve nga Iraku në 2020 modeli I ndjekur nga ne dhe rehabilitimi dhe ri-integrimi i çdo familje e ka rreshtua Shqipërinë tonë në praktikën më të mirë në rajon. Ndihemi të vlerësuar por dhe më të angazhuar për atë që ka të bëjë me bashkërendimin e punës ndërinstitucionale edhe përgjigjeve të shpejta proaktive për krijimin e komuniteteve më të sigurta dhe më të qeta”, tha Balla.

Ministri Balla u shpreh se janë ngritur 12 komitete rajonale në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm

“Sot jemi këtu, në një moment tjetër të rëndësishëm, jo vetëm për ne si Ministri e Brendshme që kemi një ndërlidhje të brendshme, por të të gjithë aktorëve, për të prezantuar pikërisht Mekanizmin Kombëtar të Referimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, një mekanizëm rajonal i ngritur për identifikimin dhe adresimin e çdo forme radikalizmi dhe ekstremizmi të dhunshëm në nivelin e të 12 qarqeve të vendit. Kryeministri Rama ka qenë dhe mbetet i angazhuar personalisht për sa i përket kësaj politike dhe me porosi të veçantë kemi ngritur 12 komitetet rajonale, të cilat do të shërbejnë si mekanizma kombëtare referimi për çdo platformë ndërinstitucionale, të cilat do të krijohen pranë Ministrisë së Brendshme, ku institucionet e ndryshme të përfshira në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm do të mbledhin informacion dhe do të bashkëpunojnë për të analizuar dhe adresuar çështjet e kërcënimit dhe të rreziqeve në një nivel kombëtar”, tha Balla.

Teksa vlerësoi bashkëpunimin ndërinstitucional në këtë fushë, Balla tha se lufta ndaj radikalizmin është një çështje që kërcënon sigurinë globale dhe se lufta ndaj këtij fenomeni kërkon bashkëpunim mes vendeve.

“Theksoj angazhimin dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj organizatave të shoqërisë civile dhe meritojnë një respekt të veçantë ku sot kemi të angazhuar disa institucione për të luftuar radikalizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm si fenomen që I tejkalojnë kufijtë shtetëror dhe janë një kërcënim për sigurinë në nivel global. Kjo luftë ka një emëruar të përbashkët. Kjo është një sfidë e rëndësishme dhe duhet të punojmë dhe adresojmë sfidat të gjithë bashkë”, tha Balla.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›