Lufta në Ukrainë/ Të dielën takim Trump-Zelensky në Florida! Presidenti ukrainas: Mund të vendoset shumë përpara fundivitit

Dy Presidentët, ai ukrainas dhe amerikan pritet të takohen në rezidencën e Donald Trump në Mar-a-Lago. Këtë e njoftoi agjencia Axios, ndërsa më herët ishte vetë Zelensky që dha sinjalet se do të kishte një takim me Presidentin e SHBA.
Takimi i pritshëm në Florida mes Donald Trump dhe Volodymir Zelensky, vjen një javë pasi delegacioni amerikan i kryesuar nga Steve Witkoff dhe Jared Kushner, bisedoi me ato ruse dhe ukrainase. Sot Presidenti ukrainas teksa dha sinjale për një takim të afërt me Trump, tha se shumë mund të vendoset përpara fundvitit.
Zelensky, pasi u informua nga delegacioni i tij për rezultatet e bisedimeve la të hapur mundësinë e një zone të çmilitarizuar në rajonet lindore të vendit të tij. Ndërkohë, rusët ende nuk kanë dhënë sinjale të qarta pas bisedimeve në Miami fundjavën e kaluar. Putin kërkon tërheqjen e Ukrainës nga rajonet lindore ndërsa këtë të premte, sipas Kommersant, ai ka zhvilluar një takim më sipërmarrës të cilëve u ka folur për centralin bërthamor të Zaporizhias, një nga temat e diskutuara nga delegacionet. Kjo sipas Putin është ende një temë e hapur mes rusëve dhe amerikanëve. Sipas planit të propozuar për bisedimet e paqe, Centrali Bërthamor i Zaporizhias, që është më i Madhi në Evropë, mund të bashkëmenaxhohet nga SHBA, Ukraina dhe Rusia.