Lushnja pret “Ditët e Bujqësisë 2026”, panairi që bashkon aktorët kryesorë të sektorit

TIRANË, 19 prill /ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, ka ftuar qytetarët dhe profesionistët e sektorit të marrin pjesë në panairin “Ditët e Bujqësisë 2026”, i cili do të zhvillohet në datat 28, 29 dhe 30 prill në Lushnje.
Ky event, që organizohet për të pestin vit radhazi, konsiderohet një nga aktivitetet më të rëndësishme për sektorin bujqësor në vend, duke mbledhur në një platformë të përbashkët prodhues, furnizues, studiues, ekspertë dhe vendimmarrës.
Salla theksoi se qyteti i Lushnjës i njohur si hambari i Shqipërisë, do të shërbejë si pikë takimi për shkëmbimin e njohurive, prezantimin e inovacioneve më të fundit në bujqësi, si dhe krijimin e partneriteteve të reja të qëndrueshme në këtë sektor.
Sipas ministrit, panairi synon të nxisë zhvillimin e mëtejshëm të bujqësisë shqiptare, duke promovuar praktika moderne, rritjen e cilësisë së prodhimit dhe forcimin e bashkëpunimit mes aktorëve të tregut.
“Ditët e Bujqësisë 2026” pritet të tërheqë një numër të lartë pjesëmarrësish duke konfirmuar rëndësinë në rritje të këtij eventi në kalendarin kombëtar të aktiviteteve ekonomike dhe bujqësore.
/gj.m/a.f/