E Diel, 1 Nëntor 2026

MADRID – Papa: Luftërat dhe riarmatimet “dështim i shoqërive”

MADRID, 8 qershor /ATSH-AA/ – Papa Leoni ka deklaruar se lufta dhe riarmatimi përfaqësojnë një “dështim” të shoqërive, duke paralajmëruar se paqja e qëndrueshme nuk mund të ndërtohet me mjete ushtarake dhe duke u bërë thirrje qeverive të vendosin drejtësinë, dialogun dhe dinjitetin njerëzor në qendër të politikave publike.

Duke iu drejtuar Parlamentit të Spanjës në Madrid gjatë vizitës së tij apostolike në vend, Papa Leoni u bë papa i parë në histori që mban një fjalim para këtij institucioni.

Sipas Vatican News, në qendër të fjalimit të tij ishte thirrja për të mbrojtur jetën njerëzore dhe për të ruajtur dinjitetin e çdo personi.

“Çdo jetë njerëzore duhet të njihet dhe të mbrohet që nga ngjizja deri në fundin e saj natyror, në çdo rrethanë të ekzistencës së saj”, tha ai.

“Mbrojtja e jetës njerëzore nuk është as çështje interesi privat dhe as shqetësim fetar, por një objektiv i qytetërimit”, shtoi ai, duke argumentuar se shoqëritë rrezikojnë të humbasin bazën e tyre morale kur nuk arrijnë të mbrojnë më të pambrojturit.

Duke folur për migracionin, Papa Leoni e përshkroi atë si “dramën tragjike të migrimit” dhe tha se ajo sfidon “ndërgjegjen e kombeve dhe bazën etike të rendit ndërkombëtar”.

Ai tha se situata e migrantëve dhe refugjatëve kërkon “një përgjigje që vendos njerëzit në qendër, trajton shkaqet që i detyrojnë të largohen dhe shkon përtej menaxhimit të thjeshtë të flukseve”.

Papa bëri thirrje për “rrugë të sigurta dhe ligjore, pritje me respekt dhe mundësi të vërteta për integrim”, ndërsa theksoi nevojën që njerëzit të mos detyrohen të largohen nga vendlindjet e tyre për shkak të konflikteve, varfërisë, pasigurisë apo presioneve të lidhura me klimën.   /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›