MADRID – Spanja në alarm nga humbja e miliarda eurove eksporte për shkak të etheve afrikane te derrat

MADRID, 3 dhjetor /ATSH-DPA/ – Shfaqja e parë e etheve afrikane te derrat (ASF) në Spanjë, pas më shumë se 30 vjetësh, po kërcënon eksportet me vlerë miliarda euro.
Virusi është zbuluar te nëntë derrat e egër që ngordhën nga sëmundja në Katalonjë, sipas raportit të fundit të Ministrisë së Bujqësisë në Madrid.
”Megjithatë, derrat në fermat e mbyllura mbeten të paprekur”, tha sot ministri përgjegjës, Luis Planas.
ASF-ja nuk është e rrezikshme për njerëzit, por është jashtëzakonisht ngjitëse dhe fatale për derrat.
Vitin e kaluar, Spanja eksportoi mish derri me vlerë gati 7,5 miliardë euro, rreth 5,0 miliardë euro në BE dhe pothuajse 3,7 miliardë euro në vendet e tjera.
Rastet e para të infeksionit u njoftuan javën e kaluar, dhe tashmë rreth 20 vende kanë ndaluar të gjitha importet nga Spanja.
Shtete të tjera, përfshirë blerësit më të mëdhenj, Kinën dhe Britaninë e Madhe, kanë vendosur të importojnë vetëm nga rajonet jashtë zonës së prekur pranë Barcelonës për momentin.
Ndryshe nga Gjermania, e cila po lufton me këtë sëmundje për pesë vjet dhe ka regjistruar mijëra raste që nga viti 2020, Spanja ishte konsideruar prej dekadash e lirë nga ethet e derrave, gjë që kishte nxitur eksportet./ /Ad.Ab./