MB: Një zyrë e IdentiTek, e hapur për aplikimet për pasaportë me procedurë të përshpejtuar në datat 15-16 maj

TIRANË, 14 maj/ATSH/ Ministria e Brendshme ka dalë sot me njoftimin se vetëm një zyrë e shoqërisë “IdentiTek” për prodhimin e dokumenteve biometrike do të jetë e hapur në datat 15 dhe 16 maj në qarkun e Tiranës.
Ministria e Brendshme bëri me dije se vetëm për shtetasit, që kanë nevoja urgjente për dokumente biometrike, (aplikime për pasaportë me procedurë të përshpejtuar) IdentiTek SHA do të ketë një zyrë të hapur në datat 15 dhe 16 maj, pranë njësisë administrative Nr. 3 në Tiranë (adresa: Bashkia Tiranë T 03 – Rr. “Ali Baushi”, Tiranë).
Sipas njoftimit të Ministrisë së Brendshme, zyra e shpërndarjes së pasaportave pranë Drejtorisë së Policisë Tiranë do të jetë e hapur për tërheqjen e dokumenteve për shtetasit, që kanë aplikuar me procedurë normale.
“Në të gjitha bashkitë e tjera, të cilat nuk preken nga kufizimet e lëvizjes, aktiviteti i aplikimeve dhe tërheqjes së dokumenteve biometrike do të vijojë normalisht”, thuhet në njoftim.
Vendimi për mbylljen e zyrave të “IdentiTek” në bashkitë Tiranë, Vorë, Kamzë dhe Krujë në datat 15 dhe 16 maj 2025, vjen për shkak të masave të marra nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, lidhur me organizimin e samitit të Komunitetit Politik Evropian dhe bllokimin e disa akseve rrugore.
/j.p/r.e/